BOTA, 30 Qershor 2024, 20:53

Sondazhet e tregojnë humbës, Macron bën thirrje për bashkim! Le Pen e para në renditje: Kemi nevojë për shumicë absolute

Sondazhet e tregojnë humbës, Macron bën thirrje për bashkim!

Pas sondazheve paraprake pas mbylljes së raundit të parë të zgjedhjeve të parakohshme në Francë, presidenti francez Emmanuel Macron, i cili renditet i treti në listë, u ka bërë thirrje votuesve që të mblidhen pas kandidatëve “republikanë dhe demokratë” në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet të dielën e ardhshme.

Në një pronocim për AFP, Macron përshëndeti pjesëmarrjen e lartë të votuesve në raundin e parë të sotëm, i cili shënoi pjesëmarrjne më të lartë në 40 vite.

Ndërkohë, Marine Le Pen e renditur e para, u bën thirrje mbështetësve të mobilizohen për raundin e dytë.

Duke folur me mbështetësit menjëherë pasi u publikuan vlerësimet e para, Marine Le Pen e së djathtës ekstreme tha se demokracia ka folur dhe tha se qytetarët kanë treguar se duan të kthejnë faqen.

Por ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e raundit të dytë javën e ardhshme.

“Ka nevojë për një shumicë absolute në mënyrë që Jordan Bardella të bëhet kryeministër”, tha ajo, duke shtuar se “asnjë francez nuk do të humbasë të drejtat”, ndërsa bëri thirrje që mbështetësit të mobilizohen.

Koalicioni pro Macron renditet i treti me rreth 20 përqind të votave, shumë prapa aleancës së krahut të majtë, e cila mori afërsisht 28 përqind të votave, ndërsa RN është rreth 34 përqind.