BOTA, 20 Gusht 2022, 18:34

Rusia, akuza Ukrainës: Keni helmuar ushtarët tanë, kemi provat gati

Rusia, akuza Ukrainës: Keni helmuar ushtarët tanë, kemi provat

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka akuzuar Ukrainën se i ka helmuar disa prej trupave ruse në rajonin juglindor të Zaporizhzhias. Sipas ministrisë në fjalë, një numër ushtarësh rusë janë dërguar në një spital ushtarak me simptoma helmimi më 31 korrik.

Nga rezultatet, sipas Rusisë, del se në gjakun e tyre është gjetur toksinë botulinum, e tipit B.

“Për faktin e terrorizmit kimik të sanksionuar nga regjimi (Presidenti ukrainas Volodymyr) Zelenskyy, Rusia po përgatit prova mbështetëse me rezultatet e të gjitha analizave,” tha ministria në një deklaratë.

Sesa ushtarë “janë helmuar” dhe se në çfarë gjendje shëndetësore janë ata, Rusia nuk jep detaje.  Nga ana tjetër, një këshilltar i ministrisë së brendshme të Ukrainës tha në përgjigje se helmimi i supozuar mund të jetë shkaktuar nga ngrënia e mishit të konservuar, të skaduar.

Toksina botulinum e tipit B është një neurotoksinë që mund të shkaktojë botulizëm kur gëlltitet në produkte ushqimore të kontaminuara më parë, por mund të ketë edhe përdorime mjekësore.