BOTA, 10 Prill 2024, 16:20

“Njerëz me prejardhje nga pakicat etnike, janë qëlluar për vdekje në përplasje me efektivët”, BE: Polica, qasje raciste

“Njerëz me prejardhje nga pakicat etnike, janë qëlluar

Agjencia për të Drejtat Themelore e Bashkimit Evropian, FRA, tha se qasja raciste e policisë “është gjerësisht e nënraportuar në BE”.

Në një raport të publikuar të mërkurën, agjencia me bazë në Vjenë tha se shumica e vendeve të BE-së “nuk kanë burime zyrtare të të dhënave për incidentet raciste dhe diskriminimin që përfshin policinë”. Sipas raportit, vetëm disa vende i kanë regjistruar incidentet e racizmit policor veçmas. Prej tyre, vetëm Gjermania, Republika Çeke dhe Holanda i publikojnë të dhënat. Raporti bazohet në hulumtimet e mëparshme nga FRA-ja, që tregojnë se policia më së shpeshti ndalon të rinj, pakica etnike, myslimanë ose njerëz që nuk identifikohen si heteroseksualë.

“Numri i incidenteve të regjistruara të racizmit policor është shumë i ulët. Kjo e bën të pamundur vlerësimin e çështjes”, -thuhet në raport. FRA tha po ashtu se, në vitet e fundit në BE, disa njerëz me prejardhje nga pakicat etnike janë qëlluar për vdekje “pas ndërveprimit me policinë”.

Raporti vuri në dukje se shumë vende evropiane kanë mbikëqyrës policorë, por se shumë prej tyre nuk janë të pavarur. Ai u bëri thirrje vendeve që ta rrisin diversitetin në forcat policore. Në vitin 2022, FRA-ja bëri një anketë mes njerëzve me origjinë afrikane, në 13 vende të BE-së, në lidhje me ndalimin nga policia. Anketa gjeti se numri më i madh i njerëzve me origjinë afrikane të ndaluar, ishte në Austri, pastaj në Gjermani dhe Irlandë./ REL