BOTA, 25 Shtator 2022, 13:06

Lufta me Ukrainën/ 28 shtatori, afati i fundit i meshkujve për të ikur nga Rusia

Lufta me Ukrainën/ 28 shtatori, afati i fundit i meshkujve për të

Pas 28 shtatorit, nuk do të ketë më largime të meshkujve nga Rusia.

Kështu të paktën bën me dije media ruse në ekzil, Meduza, e cila ka raportuar se pikërisht ai do të jetë afati i fundit, që presidenti rus, Vladimir Putin, do t’i lërë djemve e burrave në Rusi, të cilët e plotësojnë kushtin moshor për mobilizimin e pjesshëm, të largohen.

Në bazë të thirrjes që Kremlini ka bërë dhe sipas publikimeve mediave në redaksi të pavarura nga Moska, rreth 1.2 milionë djem e burra mund të thirren në shërbim, si rezervistë, për luftën në Ukrainë.

Data e 28 shtatorit nga ana tjetër, mund të caktohet pikërisht për faktin se shumë persona e kanë kundërshtuar vendimin e Putinit dhe nuk janë të gatshëm t’i përgjigjen thirrjen për të shkuar në front të luftës.

Për këtë arsye, ata kanë vendosur të largohen nga Rusia, duke i shpëtuar kështu detyrimit të paraqitjes.

Protestat ndërkaq e kanë kapluar Moskën dhe qytete të tjera, ku mijëra qytetarë, përfshirë gra dhe vajza, janë arrestuar.

Vetëm në 24 orët e fundit, është bërë me dije se kanë përfunduar në qeli 724 persona, pas përleshjeve të dhunshme me Policinë.

E gjithë situata është krijuar pas shpalljes së mobilizimit të pjesshëm nga ana e Putinit, duke e çuar luftën kështu në një dimension të ri.

Nga ana tjetër, shtete si Gjermania apo vende më të vogla të Bashkimit Evropian, kanë pranuar të hapin dyert për “dezertorët”, duke i mirëpritur ata me procedura të përshpejtuara dhe duke i nxitur të mos i binden urdhrit të Kremlinit.

Një fushatë e referendumeve në katër zona ukrainase është ndërmarrë ndërkaq nga Moska, për t’i shpallur ato si pjesë të Federatës ruse.

Mirëpo, nga vendet perëndimore, asnjë votim i tillë nuk do të njihet, duke u cilësuar shpesh edhe si një farsë që Putin po bën për të devijuar qëllimet e luftës.