BLOG, 13 Tetor 2022, 08:46

“Në burgun e Burrelit, policët e Vangjel Rëmbecit, vranë me hunj ish-kryeministrin e Koço Kota, duke i’a hedhur trutë në…”/ Dëshmia e të dënuarit që vuajti 21 vite në qeli

“Në burgun e Burrelit, policët e Vangjel Rëmbecit,

Memorie.al/ Pjesa e dytë

Uran Rasim Kalakulla lindi në Tiranë në vitin 1929, ndërsa origjina e familjes së tyre është nga Libohova e Gjirokastrës. Ai kreu në vend-lindje studimet pedagogjike dhe punoi si arsimtar i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, në Berat dhe në fshatrat e rrethit të Tiranës. Në vitin 1960-të u arrestua në grup për organizimin e një partie social-demokrate dhe u dënua me vdekje (pushkatim). Mbas dy muajsh i falet jeta dhe dënohet me 25 vjet burg, nga të cilat bëri 21 vjet, kryesisht në Burrel. Mbas burgut u internua 5 vjet në fshatrat e Kavajës. Në vitin 1991, u bë iniciator i krijimit të Shoqërisë Kombëtare të ish – të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë të Shqipërisë. Vitet e fundit, iu dedikua shkrimeve dhe ka botuar disa libra ndër të cilët “Vargje në pranga”, “Shqiptarizmi dhe prirja e tij Europiane”, “Arshi Pipa – njeriu dhe vepra”, “21 vjet burg komunist”. Uran Kalakulla ndërroi jetë në vitin 2001. Shkrimi që po publikojmë më poshtë, është marrë nga libri “21 vjet burg komunist”.

                                                        PORTRETE TË BURGOSURISH

Më mirë një fund me tmerr apo një tmerr pa fund?

Për mendimin tim, rrahjet, torturat vdekje-prerëse si dhe vrasjet e drejtpërdrejta të të burgosurve nuk kanë qenë kudo e kurdoherë në të njëjtin intensitet. Intensiteti më i madh ka qenë sidomos gjatë dhjetëvjeçarit të parë të sundimit komunist, apo diçka edhe më tutje, kur dhe numërohen viktimat më të shumta në numër, në raport me kohën, domethënë kur terrori dhe vrasjet kishin arritur kulmin.

Trajtimi mizor, torturat dhe vrasjet mizore e të paligjshme, gjatë afër gjysmë shekulli të sundimit komunist në vendin tonë, nuk kanë qenë drejtvizore, të njëtrajtshme. Ato i ngjajnë, po të vazhdojmë me gjuhën matematike, si brenda në burg, ashtu edhe jashtë tij,∗ të kushtëzuara këto ngushtësisht nga situatat dhe koniunkturat politike të kohës. Ato intensifikoheshin kur në horizont shfaqej rreziku kërcënues ndaj pushteti absolut të Hoxhës e ndjekësve të tij, ose kur ekonomia ishte katandisur si mos më keq.

Kur gjendja “qetësohej” disi dhe kur iluzioni, i përjetësimit të pushtetit mizerabël rritej, atëherë dhe represioni e ulte diçka hovin e tij mizor, por ama, pa u shuar kurrë i tëri, sepse dihet tashmë që vetë sistemi komunist në vendin tonë fatkeq nuk mund të jetonte kurrë pa represion. Sepse terrori ishte shpirti, gjaku, limfa e tij, mbi të cilin ishte ngritur ky sistem dhe me të cilin mund të mbijetonte. Ndryshe nuk mund të quhej pushtet komunist.

Kjo punë ndodhte, sa për krahasim, pikërisht si në jetën e një bishe gjakësore, mishngrënëse. Pushteti komunist etjen për gjak e për viktima nuk e kishte gjithmonë të njëllojtë. Kur ngopej disi me to, sikur bënte një farë pushimi, duket sikur për të tretur çfarë kishte kollofitur, por ama mbante ende ndër kthetrat e gjakosura ndonjë viktimë gjysmë të gjallë, duke e tororisur atë mes putrave…

Është shumë domethënëse dilema: Më mirë një fund i shpejtë me tmerr, apo një tmerr pa fund? Atyre që qenë një a dy dhjetëvjeçar pas meje në burg, u takoi më fort për pjesë fundi me tmerr, një asgjësim a vdekje e shpejtë. Kurse ne të tjerëve pas tyre, na takoi një tmerr pafund, një vdekje e përditshme, por ama njëlloj e llahtarshme.

Të arrestuarit e parë në degët e ndryshme të Sigurimit, të burgosurit e parë të Burrelit, të burgut të Kalasë së Gjirokastrës, të kamp-burgut të Vloçishtit, të kamp-burgut të Jubës etj., ashtu si të internuarit e Tepelenës, provuan tmerre edhe më të rënda se ato tonat, një vdekje e shpejtë, plot tmerr.

Kurse ne të tjerët, një tmerr të përjetshëm dhe një vdekje të ngadaltë. Megjithatë, një realitet i tillë nuk mund të ndahet si me thikë, sepse edhe në kohën e burgimit tim, tiparet e dhunës dhe të torturës, shpesh, ndërronin vend e kohë. Kështu as ne nuk mbetëm të imunizuar nga rreziku i një vdekjeje të shpejtë me tmerr.

Kamp-burgu i Spaçit, i Qafë-Barit dhe prapë burgu i Burrelit, ngjanin mjaft me ata të Vloçishtit, Jubës e kamp-burgjet e tjerë të torturës e të shfarosjes. Ato janë dëshmi ngjethëse e realitetit tragjik dhe çnjerëzor të burgut komunist.

Burgu komunist kishte dy detyra: sfilitjen fizike deri në skajshmëri, nëpërmjet punës së rëndë të skllavit, ushqimit të keq, birucave dhe rrahjeve, përmes ri dënimeve dhe deri eliminimit fizik dhe, së dyti, deformimin e personalitetit deri në çmenduri mundësisht, si dhe degjenerimin moral të individit të dhënë.

Kush mund t’u rezistojë këtyre dy kurtheve, këtyre dy kuçedrave dinake, ai doli nga burgu më njeri se ç’kish qenë më parë, më i fortë, më i kalitur, më i kulturuar me dijen e jetës, në mos dhe të librave, i aftë dhe i gatshëm për punë të madhe në lëmin shoqëror. Nuk ka asnjë dyshim se pjesa më e madhe e brezave të ish-të burgosurve politikë dolën nga burgu të tillë. Vetëm një pjesë e vogël e tyre u thyen e përfunduan në gjysmë njerëz, moralisht dhe mendërisht.

Dhoma ime e vdekjes ishte një birucë e ngushtë, sa mund të zinte vetëm një dyshek. Ajo vërtet ishte e shtruar me dërrasa, por ato ishin gjithë lagështirë dhe myk, ca më tepër se ajo ndodhej, jo vetëm ngjitur me nevojtoren e vargut të “birucave të Koçit”, por edhe nën nivelin e saj, gati ndonjë gjysmë metri. Dhe meqë muri ndarës mes të dyjave ishte tek tullë, kuptohet se çfarë pasojash të bukura kishte.

Mbi pjesën e sipërme të derës, nga ana e jashtme e saj, ishin shkruar qartë, me shkronja të zeza tamam fjalët “dhomat e vdekjes” e, poshtë tyre një kafkë me dy kockat e njohura të kryqëzuara, si te flamuri i piratëve, apo si shenjat e nazistëve SS.

Kjo dhomë nuk kishte dritare, por (si kam thënë), në vargun e atyre birucave (qenë nja dhjetë), në tavan ishin ca si oxhaqe të vjetër, gati sa një shami gruaje, nga ku duhet të hynte drita dhe ajri.

Këtej e tutje unë isha i lidhur me pranga (me duar mbrapa) dhe ato ishin fiksuar me dry, që unë të mos kisha mundësi t’i liroja sadopak. Me këto pranga të vazhdueshme duhej të rrija ditë e natë, deri në momentin kur të dilja para skuadrës së pushkatimit…!

Kur hyra në birucë ndenja një copë të mirë në këmbë. Kisha në shpirt ende zjarrin e revoltës, të zemërimit, të indinjatës, të urrejtjes. Aty nuk kishe fare ku të silleshe, veçse të vije vërdallë si fugë. Nuk kishte më tepër se një metër gjerësi dhe një gjysmë gjatësi. Isha gati si një varr mbi tokë, me mure e tavan sipër, në një gjysmë errësirë të vazhdueshme…!

Kur i ke duart të lidhura përpara është gjysma e së keqes, sepse mund të bësh disa veprime: të hash, të pish, të urinosh, të pish një cigare, të bësh luftë me minjtë që të hyjnë në birucë nga e çara e poshtme e derës, të kruhesh (të paktën kokën e pjesën e përparme të trupit, me që je i palarë prej kaq e kaq kohe), por edhe të shkruash.

Por provoni t’i bëni këto veprime kur këto të shkreta duar i ke të lidhura mbrapa. Do të bindeni se ky është një ndryshim shumë i madh, madje themelor. Më kishin lidhur kështu që të mos bëja asnjë nga këto veprime në mënyrë të pavarur, por, sigurisht që edhe të mos kisha asnjë mundësi për të vrarë veten e t’u hiqja kështu kënaqësinë e kësaj pune xhelatëve tanë…!

Duke mbajtur duart mbrapa gjithë kohës, nisin të të dhembin supet, por belaja më e madhe është, kur do të ulesh e të mbështetesh pas murit. Të pengojnë prangat, të vrasin në kolonë: edhe më keq po të shtrihesh për të fjetur. Anash nuk fle dot, se zë për fund trupit krahun dhe ai të mpihet fare. Në shpinë nuk shtrihesh dot. Kuptohet përse. E vetmja mënyrë: të flesh përmbys. Edhe kështu prapë vuan, sepse me krahët prapa është shumë e vështirë të shtrihesh përmbys. Pastaj të merret dhe fryma.

Nuk e di se si kanë bërë të tjerët, por unë sikur gjeta një mënyrë disi të përshtatshme. Flija pakorë gjatë ditës, sepse e dija që nuk vinin të më merrnin për ekzekutim. Pra, rrija gjithë natën në këmbë me fytyrën e kthyer nga dera, që kur ta hapnin, të më gjenin përballë dhe të gatshëm…!

Nuk di sa ditë kishin kaluar nga dënimi me vdekje, kur një ditë (më duket se ishte e martë), dera e birucës sime u hap dhe para meje u duk silueta e shtrembër e kapter Rustemit.

– “Çohu, se të kërkojnë”!

– “Nuk e di, por të kërkojnë. Çohu”!

Te dera që ndante korridorin e gjatë të birucave me një korridor të zyrave të atjeshme të hetuesisë, pashë një oficer Sigurimi (siç dukej nga uniforma e tij)…!

Kur afrova fare afër, ai nisi të flasë me një zë të dridhur, duke i’u marrë goja:

– “Shiko, – më tha, gati duke belbëzuar me dialektin shkodran, – ke ba takim me familjen”?

Nuk e di si më erdhi. Ndjeva një tronditje të madhe në shpirt. Ndjeva se në gjoks zemra nisi të më rrahë më me vrull, ndonjë si një stuhi të papritur në sipërfaqen e shtruar të detit. Sikur një si shakullimë e ngriti lart ujin e qetë e të ndenjur, duke u sjellë si vorbull gjigante nëpër ajër: me miliarda stërkala, gjithë shkëlqim e dritë u përhapën përreth. Isha mësuar me gjendjen time.

Shtresimi i zymtë, tashmë, kishte zënë vend të qëndrueshëm në shpirt. I isha nënshtrue fatit dhe nuk prisja asgjë të re, veç vdekjes. Fjalët e oficerit qenë një tërheqje nga buza e varrit drejt fushës së jetës. Dhe kjo lëvizje nuk ishte pak! Megjithatë arrita të mbledh disi veten dhe e pyeta oficerin që kishte gradën e oficerit të parë.

– Po kush ka ardhur në takim?

– “Nuk e di me siguri, por më duket gruaja me djalin…”?!

Dha urdhër të më çojnë në vendin e takimit. E domosdo, erdhi dhe ai me mua. Vendi ishte në oborrin me bar, mes burgut dhe vazhdës së birucave. Më vuri në një kthesë muri, sikur donte të më fshihte dhe më tha të prisja atje. Ishin vërtetë çaste tronditëse dhe unë isha gjithë sy e veshë.

Pas pak, vura re një palë këmbë të vogla, të veshura me këpucë të bardha, që po afroheshin me hapa të lehtë, drejt vendit ku më kishin lënë. Dhe… para syve m’u shfaq i tëri, shpirti imi vogël, djali im i adhuruar, për të cilin harroja tërë botën, me të mirat e të këqijat e saj.

I dola përpara. Një fytyrë e vogël, e qeshur, me syçkat e vockla cip përpjetë, gjithë lezet, ashtu i bardhë e i njomë si çdo fëmijë. E kisha lënë dy vjeç e gjysmë. Tashti ishte katër. Më pa dhe ai. U turr drejt meje gjithë gaz. Unë e rrëmbeva në krahët e mi dhe e pushtova fort, fort, duke e mbytur me të puthura e duke i marrë erë me afsh si një luleje në shpërthim e sipër. Më kish përqafuar edhe ai dhe po më shtrëngonte e puthte me mall, pa u bërë merak se mjekra ime e parruar mund ta shponte…!

HIJA E ZYMTË E BURGUT TË BURRELIT

Çdo burg ka hije të keqe. Kuptohet pse. Por hija e burgut të Burrelit kishte një zymtësi të veçantë, që binte erë vdekjeje. Jo më kot, ndër burgjet shqiptare të diktaturës enveriste, Burrelin e kanë quajtur: “Rrethi i nëntë i ferrit” dantesk. Domosdo, ai kishte shumë “shokë” të tij, nëpër gjithë vendin, si: Burgu i Kalasë së Gjirokastrës, Burgu i Ri i Tiranës, Burgu i Shkodrës (më mirë të themi burgjet e Shkodrës) e kështu me radhë. Por nuk më duket se gaboj, kur them se ai i Burrelit kishte diçka të veçantë: pamjen e një përbindëshi.

E ky përbindësh, rri gjithmonë me gojën hapur, dhe ç’hyn në grykën e tij, nuk del më gjallë, por veçse kufomë. Dhe këtë e vërtetonin vetë komunistët kur, në fillimet e vënies në përdorim të atij burgu, kishin vënë në ballë të tij, emërtimin: “Burgu i armiqve të popullit”, si dhe një parullë fort cinike, që të kujton atë të shkruar në hyrjen e Ferrit të Dantes. Ja, krahasoni këto parulla dhe do të shihni që janë krejt të ngjashme, si dy pika uji.

“Lini çdo shpresë, o ju që hyni brenda!

Te hyrja e burgut të Burrelit:

“Këtu i thonë Burrel, kush hyn, nuk del”

A thua bejtexhiu sigurims të ketë pasur ndonjë reminishencë poetike danteske?!

Ai burg mori nam të keq që kur nisi të funksionojë si i tillë, rreth vitit 1946. Në të u mbyll ajka e inteligjencies dhe shumë prej tyre vdiqën aty. Ushqimi ishte 400 gr. bukë misri (të mykur) me një gavetë ujë në 24 orë. Ujë të rrjedhshëm atë kohë nuk kishte, por vetëm një pus në mes të oborrit, ku të burgosurit, nga që nuk kishte as çikrik dhe as kovë, enkas për mundim, mbushnin ujë me gavetat e tyre, të lidhura me gjalm, të sajuar vetë nga halli. Komandanti i parë i atij burgu ishte sadisti me gradën e togerit, me emrin e mallkuar: Vangjel Rëmbeci.

Dhe deri në vitin 1949, ai burg mori emrin burgu i shfarosjes, sepse nga uria, nga sëmundjet, nga të ftohtët, nga lagështia, nga trajtimi i keq në dhoma e nga dënimet e kota në biruca, humbën jetën me dhjetëra njerëz, numër që nisi të rritej gjithnjë e më shumë. Unë nuk e di numrin e saktë të të vdekurve në atë burg, por mund të them se gjatë kohës që kalova unë aty, për 14 vjet rresht, vdiqën dhe u sakatuan dhjetëra të dënuar.

Mbaj mend disa prej tyre: Sazan Haderi, Salo Lezha, Karafil Koleci (vdiq në spitalin e të burgosurve në Tiranë) si dhe Mustafa Bajraktari. Ish-kryeministrin e Mbretit Zog, Koço Kotën, e vranë policët e Vangjel Rëmbecit me hunj, duke i’a stërpikur gjakun dhe trutë në muret e birucës.

Intelektualin Xhevat Korça, e bënë të vdiste në grevë urie. Në atë burg kanë vdekur mjaft intelektualë patriotë, figura të shquara të shtetit dhe kulturës shqiptare, ndër të cilët mund të përmend: Ethem Haxhiademin, Arqile Tasin, Xhavit Leskovikun, Gjergj Kokoshin, e plot të tjerë.

Madje ky i fundit ka qenë edhe ministër në kabinetin e parë të Enver Hoxhës. Në atë burg kaluan kalvarin e tyre dhe plot intelektualë të tjerë, laikë apo klerikë si: Zef Mala, Kudret Kokoshi, Suat Asllani, Arshi Pipa, Pater Mashkalla, Nikollë Mazreku, Hafiz Dërguti, Foto Bala, Andon Frashëri etj…!