AKTUALITET, 19 August 2026, 12:23

Berisha: Vrasja e 20-vjeçarit portugez, pothuajse shtetërore. Në Sarandë, shteti dhe krimi janë një

"Vrasja e 20-vjeçarit portugez në Ksamil, është pothuajse vrasje shtetërore". Kështu ka deklaruar kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një konference për mediat. Sipas kreut demokrat industria turistike në Sarandë është në kthetrat e krimit, ku siç thotë ai shteti dhe krimi janë një.

“Vrasja e 20-vjeçarit portugez, turist në Ksamil, është një akt sipas të dhënave, pothuaj vrasje shtetërore. E them këtë në kuptimin, jo se ai u ekzekutua nga njerëz me uniformë, por në kuptimin e vërtetë se industria turistike në Sarandë është në kthetrat e krimit.

 Në Sarandë, shteti dhe krimi janë një. Ligji nuk ekziston. Në Sarandë, dhe jo vetëm, flitet gjerësisht për një ekonomi të bazuar në trafiqe droge, njerëzore etj, e cila gëlon nga darka në mëngjes në lokalet e natës, të cilat funksionojnë gjer në agim.

 Në plazhet e pushtuara, ku nuk gjendet një metër plazh publik, por të gjitha të dominuara nga të fortit që shesin shezlonget qindra euro”.

Berisha tha se në ngjarje kanë qenë të përfshirë edhe tre punonjës me uniformë, të cilët kishin detyrimin të parandalonin krimin.

“Por vrasja e portugezit ka një karakter konkret shtetëror. Në këtë akt makabër erdhi të bëjë pushimet tek ne ai, dhe tani përcillet me arkivol. Në këtë akt makabër bashkëpunëtor ishin tre punonjës me uniformë.

Kjo dëshmon se cila është shkalla e lartë e inkriminimit të rojeve të sigurisë në këto lokale. Në vend që ta parandalonin krimin e fshehën për orë të tëra. Hetimi do tregojë se ndoshta edhe morën pjesë në masakrimin e 20 vjecarit portugez”, deklaroi kreu i PD.