AKTUALITET, 14 Janar 2018, 12:45

Basha: 200 milionë euro fitojnë 5 derrat e krimit te lidhur me Ramën

Basha: 200 milionë euro fitojnë 5 derrat e krimit te lidhur me

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha në Vorë se një qeveri e zgjedhur nga krimi nuk ka prioritet të zgjidhë problemet e qytetarëve. Basha mori si shembull faturën që mijëra familje shqiptare detyrihen ta paguajnë si këst mujor për energjinë dhe faturën që qeveria paguan për konçesionet që nuk u shërbejnë shqiptarëve, por pasurimit të kryeministrit.

“200 milionë është borxhi total i shqiptarëve ndaj KESH-it. 200 milionë është fatura që shqiptarët paguajnë vit për vit për 5 koncensionarë, për 5 derra të krimit dhe korrupsionit që ndajnë paratë me Edi Ramën. Nuk ka asnjë arsye pse një qeveri që e ka lidhur fatin me njerëzit të mos ndërpresë menjëherë këtë marëdhënie kriminale korruptive, të shlyejë borxhin ndaj KESH-it dhe të çlirojë qindra e mijëra familje shqiptare nga zgjedha e kamatave të padrejta të KESH-it apo nga mënxyra e rritjes së çmimit të ujit.”- u shpreh kreu i opozitës.

Basha tha se një qeveri që nuk ka pakt me krimin, e dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme do të kishte prioritet amnistinë për të çliruar qytetarët nga pagesat e prapambetura, dhe për të anulluar vendimet korruptive për vjedhjen e shqiptarëve nëpërmjet konçesioneve.

“Ky është plani. Ky është vendimi. Kjo është vendosmëria e demokratëve. Tu japë shqiptarëve një qeveri e cila paratë nuk i çon tek oligarkët por i çon tek qytetarët. Çmimi energjisë, çmimi i naftës, çmimi i ujit, çmimi i ushqimeve bazë janë shqetësime themelore të njerëzve. Papunësia, varfëria, mungesa e shpresës janë pasojat e drejtpërdrejta të këtyre mënxyrave që janë dhurata dhe prodhimi i vetëm i Edi Ramës për popullin.”- theksoi Basha.

Kreu i opozitës tha se 27 Janari nuk është vetëm nje protestë politike e thirrur nga disa parti, por ajo do të jetë një goditje që shumica absolute e shqiptarëve do t’i japë pakicës që qeveris me krimin.