TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një 16-vjeçar është gjetur i pajetë sot në mëngjes në Tetovë, në rrjedhën e lumit Shkumbin. 16-vjeçari dyshohet se është sulmuar nga një bashkëmoshatare e tij me sende të forta në vendin e quajtur “Banja” në Tetovë. Dyshimet e para nga policia e Maqedonisë së Veriut janë se bëhet fjalë për vrasje. Mësohet se një vajzë e mitur 16-vjeçare është shoqëruar në polici si e dyshuar për përfshirje në rast. Avokati mbrojtës i saj vërtetoi se vajza po mbahet nën mbikqyrje të specializuar psikiatrike me qëllim të konstatimit të gjendjes faktike. Sipas avokatit, Ibraim Bajrami, procedura ende është në fazë hetimore.
“Për momentin mund të them se bëhet fjalë për person të mitur të gjinisë femërore, nën 18 vjeç. Çështja është në procedurë hetimore dhe si e tillë për shkak të zbardhjes sa më korrekte të rastit është mirë që në këtë fazë t’i lëmë organet të bëjnë detyrën. Personi që unë e kam marrë ta përfaqësoj, nga sonte do të jetë nën mbikqyrje të stafit profesional mjekësor, për t’u vërtetuar gjendja e saj psiko-fizike. Kjo është shumë e rëndësishme për t’u vërtetuar gjendja faktike në lidhje me rastin shumë tragjik”, deklaroi avokati Bajrami.
Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë dha detaje shtesë nga trupi i pajetë i 16-vjeçarit që u gjet sot në Banjat e Tetovë, përcjell TV21. Nga MPB thonë se bëhet fjalë për një djalë nga Novo Sella, komuna e Zhelinës.
“Sot (22.12.2022) në ora 07:10 në ujërat e lumit Shkumbim, rrugës për në vendin e quajtur “Banjiçe” në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë gjetur trupin e pa jetë e të miturit nga Novo Sella- Komuna e Zhelinës, për të cilin babai i tij J. H. (46) ka raportuar se më datë 21.12.2022 rreth orës 16:00 është larguar nga shtëpia me veturën “Audi” me targa regjistrimi të Tetovës. Më herët, rreth orës 02.20, vetura është gjetur pranë një objekti hotelierik në vendin e quajtur “Banjiçe”. Vdekjen e ka konstatuar mjeku i Ekipit të Ndihmës së Shpejtë dhe me urdhër të Prokurorit Publik, trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, thonë nga SPB-Tetovë.
Nga Prokuroria thonë se bëhet fjalë për një të mitur i cili mbrëmjen e djeshme është raportuar si i zhdukur.
“Prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike Tetovë ka inspektuar vendin e quajtur “Banjiçe” ku në lumë është gjetur trupi i pajetë i personit 16 vjeçar. Bëhet fjalë për një person i cili rezultonte i zhdukur që nga dita e djeshme. Prokurori publik ka lëshuar urdhër për obduksion të trupit të të ndjerit, si dhe për mbledhjen e të gjitha gjurmëve dhe provave për të përcaktuar shkaqet e vdekjes”, thonë nga Prokuroria.