BALLKAN, 20 Nëntor 2022, 17:59

Përplasja për targat, nesër në mëngjes takim urgjent trilateral Kurti-Vuçiç-Borrell

Përplasja për targat, nesër në mëngjes takim urgjent

Bashkimi Europian ka konfirmuar se nesër në mëngjes pritet të zhvillohet një “takim urgjent” ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Në takim do të marrë pjesë edhe kryediplomati europian, Josep Borrell, raporton Gazeta Express.

Paraprakisht, Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe emisari për dialogun, Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin, të cilët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

“Përfaqësuesi i Lartë do të nisë me takime të veçanta me secilin lider duke filluar nga ora 08:00, e më pas do të ketë një takim të përbashkët”, thuhet në njoftim.

Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugedaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, thuhet në njoftimin e BE-së. Unioni kërkon veçanërisht zgjidhje për çështjen e targave dhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Një deklaratë për shtyp do të lëshohet në fund të takimit Kurti-Vuçiq.