TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-zyrtarja e lartë e qeverisë së Malit të Zi, Mirjana Pajković, ka njoftuar themelimin e një partie të re politike me emrin “Stranka evropskog koraka slobode”, që në shqip do të thotë Partia e Hapit Evropian të Lirisë, me akronimin SEKS. Pajković ka deklaruar se synon të hyjë në parlament me këtë subjekt të ri.
Gjatë një intervistë televizive, Pajković theksoi se zgjedhja e emrit nuk është thjesht një provokim, por një mesazh për lirinë dhe hapësinë për shprehje që, sipas saj, mungon në politikën dhe jetën publike të vendit. Ajo gjithashtu foli për profilin e saj në një platformë për të rritur, duke theksuar se aktiviteti aty është i autorizuar dhe nën kontrollin e saj të plotë.
Ky hap politik vjen disa muaj pas një skandali publik që përfshiu emrin e Pajković në fund të vitit të kaluar, lidhur me publikimin e videove intime. Materialet, që u shpërndanë në rrjetet sociale, përfshinin edhe ish-këshilltarin e presidentit dhe ish-drejtor të një agjencie shtetërore të sigurisë. Pas shpërndarjes së videove, të dy dhanë dorëheqje nga postet zyrtare.
Pajković ka ngritur disa padi penale për shpërndarje të paautorizuar të materialeve, duke e cilësuar këtë një shkelje të privatësisë së saj dhe duke akuzuar ish-këshilltarin për shpërndarje dhe kërcënime, të cilat ai i ka mohuar.
Në intervistën e saj të fundit, Pajković u shpreh se partia SEKS synon të hapë një dialog të ri social, të rrisë pjesëmarrjen demokratike dhe të mbrojë të drejtat e qytetarëve.