BALLKAN, 29 Dhjetor 2022, 23:10

Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi: Nëse s’kryhet deri më 2024, duhet nisur gjithçka nga e para

Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi: Nëse s’kryhet deri

“Ajo që ka rëndësi shumë të madhe tash është të mos lejojmë që situata të kthehet në ndonjë krizë tjetër dhe është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe Serbisë të nisin të krijojnë atmosferë të favorshme për diskutime produktive për normalizim raportesh”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se afati i marsit ka për qëllim që të përcjellë seriozitetin e arritjes së marrëveshjes, siç shkruan “Politico”. Ky medium tutje ka thënë se komuniteti ndërkombëtar po ndjen urgjencën për ta zgjidhur çështjen duke pasur parasysh luftën e Rusisë dhe se Kremlini ka kohë që kërkon ta joshë Ballkanin të rrijë larg BE-së.

Lajçaku ka thënë se liderët e Kosovës dhe Serbisë janë të gatshëm për takim – por “problem është rezultati”.

“Dy takimet e fundit ishin në rregull sa i përket atmosferës, por vizionet e dy liderëve nuk u përputhën. Ka gjithmonë pritje të mëdha nga këto takime”, ka shtuar ai.

Sipas tij, përsëritja e tensioneve të përcjella nga zgjidhjet e përkohshme po bën që negociatorët të angazhohen në “fikjen e zjarrit, pasi s’mund të ketë fokus në normalizim kur ka kriza”.

Përderisa kriza e fundit “ka marrë fund”, ka thënë ai, “shpresoj që të mos ketë në javën e ardhshme krizë tjetër – ose të harrojmë për normalizim”.

Sipas tij, aktualisht koha është ideale për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi dhe nëse humb ky rast, mosmarrëveshja mund të zgjasë me dekada.

“Tani për tani, kemi strukturë shumë të favorshme: Kemi vëmendjen e top-lidershipit në SHBA dhe BE, dhe kemi bashkëpunim të shkëlqyer BE-SHBA – prandaj kjo është dritare e vërtetë e mundësisë, diku deri në dhjetor 2023 ose fillim 2024”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e Parlamentit Evropian dhe ato presidenciale në SHBA do të mbahen më 2024.

“Nëse gjërat nuk bëhen deri atëherë, do të duhet të nisim gjithçka nga fillimi. Nëse kthehemi në kriza e përplasje, të harrojmë afatet”, ka thënë Lajçaku./Koha.net