BALLKAN, 11 Prill 2022, 23:09

Ish-shefi i AKI zbulon planin për vrasjen e Hashim Thaçit: Shërbimi sekret serb kishte punësuar një snajperist elitar, do godisnin gjatë ndeshjes…

Ish-shefi i AKI zbulon planin për vrasjen e Hashim Thaçit:

Ish-shefi i Agjencisë  së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ka zbuluar në emisionin “Pressing” të T7 se si shërbimet sekrete kanë parandaluar një atentat ndaj ish-kryeministrit Hashim Thaçi në vitin 2014.

Sipas Smakaj atentati do të kryehej në ndeshjen e parë të kombëtares së Kosovës dhe ishte i organizuar të ndërmerej nga shërbimet sekrete serbe gjatë atmosferës festive, përmes një goditje me snajper.

“Institucionet e sigurisë kanë qenë shumë të përgatitura për këto lojëra në territorin e Kosovës. Ju kujtohet në vitin 2009 ndalimi i agjentëve të BIA-s. Më 2014 kur është bërë ndeshja e parë e Kosovës kemi parandaluar një sulm që ishte nisur nga shërbimi sekret serb ndaj titullarëve tonë që të prishej ajo atmosferë festive. Me metoda të tilla. Metodologji e njëjtë që të kryhej atentat ndaj titullarëve tonë në ndeshjen e kombëtares së Kosovës.

Ishte punësuar një snajper nga forcat elitare serbe dhe i cili pastaj, në bashkëpunim me shërbimet partnere, nuk e kishte mohuar shërbimi serb që ishte planifikuar diçka e tillë. Me partnerët tonë kishim dërguar mesazh në Serbi që të ndalohej kjo dhe të arrestohej ai. Ai ishte arrestuar. “Ishte snajper me përvojë në Bosnjë, Kroaci”, tha ai.