BALLKAN, 14 Dhjetor 2023, 11:08

Ish-komandanti i UÇK-së dënohet me 22 vite burg nga Apeli i Gjykatës Speciale

Ish-komandanti i UÇK-së dënohet me 22 vite burg nga Apeli i
Salih Mustafa

Dhomat e Specializuara në Hagë sot kanë shpallur vendimin e Apelit për rastin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Paneli i Apelit ka vendosur që Mustafës t’ia ul dënimin nga 26 në 22 vjet burgim.

Kryetarja e turpit gjykues bëri të ditur se Paneli i Apelit ka anuluar dënimin me 10 vjet burgim për pikën e parë të aktakuzës “ndalim arbitrar” dhe të njëjtit i cakton dënim me 8 vjet burgim, anulon gjithashtu dënimin prej 22 vjet burgim për pikën tre të aktakuzës “torturës”, dhe të njëjtit i cakton dënim prej 20 vjet burgim, shkruan Telegrafi.

Apeli gjithashtu anuloi edhe dënimin prej 25 vjet burgim në lidhje me pikën katër të aktakuzës “vrasjes së paligjshme” dhe i caktoi dënimin prej 22 vjet burgim.

“Anulon vendimin e njehsuar me 26 vjet burgim për z.Mustafa dhe cakton një dënim të njehsuar me 22 vjet burgim duke llogaritur kohën e tij në paraburgim”, tha kryetarja e turpit gjykues.

Ajo tutje shtoi se Mustafa do të mbetet në paraburgim deri në finalizimin e masave për transferimin e tij në shtetin ku do të vuaj dënimin.

Salih Mustafa ishte dënuar me 26 vite burgim për krime lufte.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi Aktakuzën kundër Salih Mustafës më 12 qershor 2020.

Mustafa ishte arrestuar dhe u transferuar në Njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022. Trupi Gjykues e shpalli të akuzuarin fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.

Trupi Gjykues e shpalli Mustafa të pafajshëm për krimin e trajtimit mizor.