TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një figurë e rëndësishme e luftës së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për të drejtat e tyre, dhe sot një kryeministër me detyrën t’i trajtojë njësoj të gjithë shtetasit e tij, Talat Xhaferi gjendet përpara një sprove jo të lehtë, por të cilën e merr përsipër pas një periudhe të gjatë në skenën politike të vendit fqinj, që skaliti imazhin e tij të një politikani gjakftohtë e të vendosur.
Në një intervistë për Top Channel, i pari shqiptar që merr frerët e një ekzekutivi maqedonas, e konsideron këtë pjesë të një realiteti faktik të cilit tashmë Maqedonia e Veriut, nuk ka më gjasa t`i shmanget.
“Ky është një realiteti arkitektura strukturore e përbërjes së popullatës së Maqedonisë se Veriut; është një përgjigje e pritshmerive në pretendimin tonë për të realizuar përcaktimet strategjike që nga mëvetësimi i ish-Jugosllavisë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Dhe duke qenë se përcaktimi është tashmë për ato vlera, mendoj se akti i nominimit dhe përzgjedhjes së qeverisë në këtë përbërje të cilën e udhëheq unë, është në fakt përgjigje ndaj përmbushjes së një pjesë të atyre vlerave euroatlantike, tek të cilat ne edhe pretendojmë të jemi pjesë, kështu që është çështje e statusit tonë kushtetues, si pjesë përbërëse shtetformuese e këtij shteti, dhe s`do mend që është përgjigje në të drejtën, detyrimin dhe përgjegjësinë për të bashkërenduar punët dhe për të arritur qëllimet tona strategjike“, tha Talat Xhaferi.
Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, por përpjekjet e bashkimit me BE-në të ngecura në vendnumëro si për shkak të cilësisë së qeverisjes, ashtu edhe për problemet me minoritetin bullgar. Problem ky që nuk prek vetëm këtë vend, por mund të ndikojë në të ardhmen europiane të të gjithë rajonit. Teksa shpjegon se përcaktimi identitar është çështje e garantuar nga kushtetuta vendase si dhe konventat ndërkombëtare, Xhaferi flet për gjasat e ndryshimeve kushtetuese, që mund të zhbllokojnë procesin.
“Konteksti dhe kontesti është në aspekt të raporteve dypalëshe fqinjësore mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, për të cilat edhe është kushtëzuar rrugëtimi ynë drejt Bashkimit Europian. Në parapërgatitjet dhe në proceset dhe procedurat paraprake institucionale, ne jemi në fazën e inicimit, tanimë të iniciuara nevojat për miratim të vendimit për qasje në ndryshimet kushtetuese, që të mund të aplikohet e drejta dhe të sanksionohet e drejta e qytetarëve, dhe konkretisht të atyre që kanë ndjesi të përkatësisë, në këtë rast, bullgarët dhe kësisoj, të përmbushet edhe një aspekt i këndvështrimit të asaj që është hapja e rrugës sonë drejt anëtarësimit”, tha ai.