BALLKAN, 30 Dhjetor 2021, 22:57

Dialogu me Serbinë, sfida më e madhe për Qeverinë Kurti më 2022

Dialogu me Serbinë, sfida më e madhe për Qeverinë Kurti

Dialogu me Serbinë po shihet si sfida më e madhe për Qeverinë Kurti në vitin e ardhshëm.

Sipas profesorit të shkencave politike Belul Beqaj çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të jetë pika kyçe në këtë proces. Ai ka thënë se kjo çështje do ta kthejë kryeministrin Kurti kundër vetvetes e njëjtë edhe Kosovën.

“S’mundemi të ecim përpara pa e zgjidhë këtë. Çështja është e thjeshtë por po komplikohet pa arsye. Le të dalim me propozim duke iu përshtatur Kushtetutës…. s’pajtohet Serbia e dimë, por ne do të shfaqemi bashkëpunues”, ka thënë ai.

Ndërkaq për punët e brendshme ai ka deklaruar se vetingu është sfida kryesore.

Profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ndërtojë alternativa kreative. Sipas tij, zgjidhja e vetme është bashkëpunimi me ndërkombëtarët për të ndërtuar Asociacion që “s’prish sistemin e Kosovës”.

“Ka mundësi alternative, dhënien e pushtetit apo ndërtim të asociacionit që s’prek sistem. Ta bëjmë me ndërkombëtarët. E assesi të pranojmë asociacion siç e shohim në letër”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq Lulzim Peci nga Instituti KIPRED ka thënë se administrata amerikane po kthehet në rajon me artileri të rëndë, duke aluduar në përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj.

Ai ka paralajmëruar se Kosova ende s’ka parë presionin që do të vijë nga administrata e presidentit Joe Biden.

“Nëse ne vazhdojmë me këtë storie do humbim këtë administratë për të bërë marrëveshje. Do të mbesim të izoluar. Kurrkush me zor s’mund të na ç’izolojë e të bëhemi pjesëtarë të bashkësisë ndërkombëtare. Fati i Kosovës është se s’na duhet anëtarësia në OKB për anëtarësim në NATO e BE. Pasi që Serbia po rri në karrige me tri këmbë, këmbët po largohen e do të vijë momenti i së vërtetës se kah do të shkojë. S’duhet të na ikë shansi historik”, ka thënë ai./Koha