BALLKAN, 21 Mars 2025, 16:33

“Arsye humanitare bindëse”/ Thaçi u lejua të shkonte te varri i babait, reagon Gjykata Speciale

“Arsye humanitare bindëse”/ Thaçi u lejua të

Gjykata Speciale konfirmoi vizitën e ish-presidentit Hashim Thaçi në Kosovë, për të shkuar të varri i babait të vet si dhe për të takuar familjen e ngushtë. “Gjatë vizitës, i akuzuari do të vazhdojë të mbahet në paraburgim dhe nën ruajtje të Dhomave të Specializuara”, tha gjykata në një deklaratë publike të premten më 21 mars.

Gjykata tha se vizita u mundësua për “arsye humanitare bindëse”. Nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u soll nga Haga në Kosovë pesë ditë pas vdekjes së babait dhe tri ditë pas varrimit, raporton KosovaPress.

“Te varri i yt erdha i fundit, babë”, shkroi ish-presidenti Hashim Thaçi, në kurorën të cilën e la të premten mbi varrin e babait të vet në Burojë të Skenderajt. Ai mbërriti në fshatin e tij rreth orës 11:00 më 21 mars, me leje të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë – që njihen si Gjykata Speciale, shkruan KosovaPress.

Thaçi po përballet me një proces të tej zgjatur gjyqësor, nën akuzat për krime të pretenduara të luftës. Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.