AKTUALITET, 8 Gusht 2022, 11:30

Vrasja e Jonadës/ Berisha konfirmon mbështetjen për protestën e qytetarëve: Rama po mbron Çuçin dhe Kumbaron

Vrasja e Jonadës/ Berisha konfirmon mbështetjen për

Shoqëria Civile ka paralajmëruar sot zhvillimin e protestës së radhës me moton “Drejtësi për Jonadën”, duke konfirmuar se tubimet do të vazhdojnë pas rënies në vesh të shurdhët të kërkesës së tyre drejtuar kryeministri Edi Rama për shkarkimin e ministrave Çuçi dhe Kumbaro.

Pasi iu bashkua protestës së parë për tragjedinë e 2 gushtit, ku 7-vjeçarja Jonada Avdia u vra nga gomonia që drejtohej nga komisari Arjan Tase, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përshëndetur tubimin që zhvillohet sot në orën 19:30.

“Edi Rama arrogant mbron veten, Çuçin e familjes dhe Kumbaron, refuzon kërkesat e qytetarëve. Sot qytetarët në protestë të fuqishme në orën 19:30 për largimin e Çuçit, Kumbaros dhe Nanos. Mbështetje të plotë protestës dhe kërkesave të qytetarëve”, shkruan Berisha në Facebook.

Ende nuk është konfirmuar nëse kryedemokrati do të marrë pjesë në këtë protestë, por në konferencën me gazetarët ai u shpreh se edhe në rast të mungesës fizike, me zemër është me qytetarët që ngrihen për një kauzë të drejtë.