TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka mbledhur Asamblenë e Partisë Socialiste në Elbasan.
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se vendi nuk ka qenë asnjëherë më afër realizimit të “një ëndrre historike”, duke iu referuar anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ai theksoi se vitet e ardhshme do të jenë vendimtare dhe më të vështirat për procesin e integrimit, ndërsa kërkoi më shumë përgjegjësi dhe vetëdije nga strukturat e Partisë Socialiste. Rama deklaroi gjithashtu se PS duhet të përballet me “forca dhe faktorë” që, sipas tij, janë kundër qeverisë dhe procesit të reformave.
“Ky takim është në vazhdën e nevojës për bashkëbisedim mbi tema me rëndësi për momentin ku po kalon Shqipëria. Nuk kemi qenë kurrë kaq afër realizimit të një ëndrre historike. Duhet të jemi të vetëdijshëm që hapat e fundit të 3-4 viteve që kemi përpara, janë edhe më të vështirat, sepse është faza kur duet të përputhim të gjithë organizmin tonë shtetëror me atë të BE, në aspektin jo vetëm të ligjeve por edhe standardeve. Vetëdija na duhet që ta ndjejmë së bashku përgjegjësinë. PS familja jonë politike duhet të përballet pa e humbur kthjelltësinë dhe motivimin për të shkuar më shpejt përpara me një tërësi forcash e faktorësh që janë tërësisht kundër nesh. Forca e faktorë politikë, mediatikë, socialë në sensin e pranisë në rrjetet sociale që prodhojnë e shpërndajnë në mënyrë marramendës e gënjeshtra e gjysmë të vërteta, akuza, lajme që edhe kur nuk janë të pavërtetë vendosen në një proporcion të zhdrejtë me realitetin”, tha ai, ndërsa ka ripërsëritur faktin që akuzat e opozitës se media është e kapur nga qeveria nuk janë realitet.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shumica e siguruar nga Partia Socialiste e Shqipërisë ishte vendimtare për të mos bllokuar procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së, Rama u ndal te negociatat me Bashkimin Europian dhe miratimi i ligjeve që lidhen me procesin e anëtarësimit.
Kryeministri kujtoi edhe kritikat që, sipas tij, ka marrë për kërkesën e një mandati të fortë qeverisës. Sipas tij, nëse opozita do të kishte më shumë mandate, procesi i integrimit mund të ishte bllokuar.
“U lemeris dynjaja se na ishin bllokuar negociatat. Njerëzit e kanë në qendër të vëmendjes anetarësimin sepse duan të jetë.
Kur thoja na duhet një mandat i fortë më thonin ky do të bëhet si Putini. Por ne kemi kaluar një paketë ligjesh që ishin vetëm për integrimin.
Nga 27 ligje, 7 ishin me 84 vota. Imagjinoni sikur ne të kishim 75 e të tjerat t’i kishin molotovarët? Atëherë do të na ishte bllokuar procesi dhe parlamenti me buzëqeshje. Ne do të ishim në një situatë duke ardhur vërdallë duke ndjekur bishtin tonë. Ndaj duhet t’u puthim duart për ata që na besuan që të realizojmë negociatat jo për karriget”, tha ai.
Rama gjatë fjalës së mbajtur në asamblenë e Partia Socialiste në Elbasan u shpreh se vakumi i krijuar nga opozita, të cilën e cilësoi si një “katastrofë ambulante”, mund të mbushet me energji negative që sipas tij mund të pengojë rrugën e qeverisë.
Ai theksoi se aktualisht nuk ka zgjedhje të afërta parlamentare që të vënë në diskutim shumicën socialiste prej 83 mandatesh, ndërsa përmendi zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm si procesin e radhës elektoral.
“Vakumi i krijuar për shkak se opozita zyrtare është një katastrofë ambulante mund të mbushet me negativitet dhe me një energji që mund të na pengojë në këtë rrugë. Këtu nuk është çështja e aritmetikës, as se kemi përpara zgjedhjeve, sepse ne nuk kemi përpara zgjedhje, përveçse në vitin e ardhshëm kur do të bëhen zgjedhjet vendore, por ato janë rëndësinë e tyre, por nuk vënë në pikëpyetje shumicën tonë prej 83 mandatesh, por nuk duhet që kjo atmosferë të vërë në pikëpyetje peshën e përgjegjësisë për secilin prej nesh. Unë kam kërkuar që ne të jemi shumë më afër anëtarësisë dhe të bisedojmë për çështjet e mëdha politike, shoqërore, ndërkohë që ne duhet të flasim me të gjithë pse duhet të jenë krenare që janë pjesë e kësaj familje politike”, tha Rama.