AKTUALITET, 5 Korrik 2024, 12:46

Teliti thirrje nga protesta: E vetmja rrugë, krijimi i qeverisë teknike dhe zgjedhje të lira

Teliti thirrje nga protesta: E vetmja rrugë, krijimi i qeverisë

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak, njëkohësisht edhe këshilltari ekonomik i PD-së, Dorian Teliti ka marrë pjesë në protestën e ditës së sotme para bashkisë së Tiranës. Teliti gjatë fjalës së tij u shpreh se Tirana nuk ka vend për abuzues e hajdutë por vetëm për ndershmërinë.

Ai shtoi se me 11 korrik e gjithë Shqipëria do të mbushë bulevardin për të dhënë një mesazh të qartë e të fortë që nuk e do më këtë mazhorancë dhe e vetmja rrugë është krijimi i qeverisë teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

"Ndodhemi sot para godinës së korrupsionit që po shkërmoqet nga forca e rezistencës qytetare. Tirana nuk ka vend për abuzues e hajdutë por vetëm për ndershmërinë.

Ju policë që sot ruani godinën e krimit thirrini mendjes.

Pak ditë na ndajnë nga 11 korriku, ku e gjithë Shqipëria do të mbushë bulevardin për të dhënë një mesazh të qartë e të fortë që Tirana e gjithë Shqipëria nuk e do më këtë mazhorancë dhe e vetmja rrugë është krijimi i qeverisë teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

Gjashtë ditë na ndajnë nga dita kur do të zbrazim këtë godinë dhe Kryeministrinë. Të rezistojmë sepse e drejta do të vijë dhe do të jetë me qytetarët”, tha ai.