TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi u shpreh se LSI ka qenë pro dhe një avokate promovuese e garantimit të të drejtës së votës të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Kryemadhi u ndal në tre çështje kryesore për t’i adresuar.
Në konferencën e organizuar nga KQZ të Nivelit të Lartë me temë “Votimet nga jashtë, koha është tani!”, ajo gjithashtu theksoi se Kodi Zgjedhor aktual është i deformuar.
“Faleminderit për ftesën. Do të doja të mos i quajmë emigrant ë, pro shtetas shqiptarë. Që prej themelimi të saj LSI ka qenë pro dhe avokate promovuese e garantimit të te drejtës së votës. Ne si subjekt politik adresojmë çështjen e regjistrimit të shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë Shqipërisë. Por si mund të jetë regjistrimit, nëpërmjet E-Albania.? Përgjigja është se shumë pak shqiptarë janë të regjistruar… Mënyra e votimit është një tjetër çështje që duhet të adresohet. Po ashtu aktualisht në Kodin Zgjedhor nuk është parashikuar se ku do ta japë efektin vota e tyre”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së deklaroi se shkelja e marrëveshjes së 5 Qershorit, shtrembëroi njëanshmërisht sistemin zgjedhor, dhe ky sistem zgjedhor tashmë i deformuar prodhoi një rezultat zgjedhor të manipuluar, nga ku rezultoi se Subjekti Lëvizja Socialiste për Integrim edhe pse u votua nga rreth 110 mijë zgjedhës, arriti të marrë vetëm 4 mandate përfaqësimi në Kuvendin e Shqipërisë.
FJALA E PLOTË
“E kam mirëpritur me kënaqësi ftesën e KQZ për këtë nismë të ndërmarrë së bashku me OSBE, për të përfshirë aktorët kryesorë politikë, si dhe partnerët kryesorë ndërkombëtarë, në një tryezë të përbashkët për diskutimin e më pas implementimin efektiv të votimit të shtetasve shqiptarë nga jashtë vendit.
Që prej themelimit të saj, Lëvizja Socialiste për Integrim, në raport me të drejtën e ushtrimit të votës së shtetasve shqiptarë në vendet ku ata kanë banim të përhershëm, pra jetojnë dhe punojnë, ka qenë përherë pro dhe avokate promovuese e garantimit të kësaj të drejte.
Kjo votë dhe përfshirja aktive në proceset zgjedhore, do të rriste edhe më tepër lidhjen e diasporës tonë, të shtetasve tanë jashtë vendit me Shqipërinë, që dita ditës po sheh një brain-drain shpopullues.
Votimi i shtetasve shqiptarë nga jashtë vendit, është diskutuar dhe dakordësuar edhe në Këshillin Politik (i krijuar me dakordësi nga PS-PD-LSI në janar 2020), i cili i parapriu ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të vitit 2021, për të cilat LSI ka luajtur një rol konstruktiv. Këto ndryshime janë materializuar në nenet 24 dhe 25 të Kodit Zgjedhor.
Ne si subjekt politik, duke dhënë në parim dakordësinë tonë për ushtrimin e së drejtës së votës të shtetasve shqiptarë në vendet ku ata banojnë, kemi 3 çështje kryesore të cilat duhet të adresohen dhe konkretisht:
Çështja e parë që duhet të adresojmë bashkarisht, është regjistrimi i shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë Shqipërisë.
Neni 24 i Kodit Zgjedhor parashikon se: Një shtetas shqiptar me banim jashtë Shqipërisë, që të ketë mundësi të votojë nga jashtë Shqipërisë, së pari ai duhet të jetë i regjistruar ne regjistrin e Gjendjes Civile dhe të deklarojë adresën e banimit të përhershëm jashtë Shqipërisë.
Si mund të arrihet kjo? Me çfarë infrastrukture?
Permes E-albania? (A kemi garanci për ruajtjen e të dhënave personale, apo rrezikojnë që të kalojnë edhe këto të dhëna në duar të patronazhistëve?
Do t’i regjistrojnë ambasadat, e do t’i themi ngrihuni nga ana e anës dhe votoni në ambasadat e qeverisë?
Mirëpo, sa shtetas shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërisë?
Mendohet se jashtë vendit jetojnë mbi 2.5 milionë shqiptarë.
Siç jeni në dijeni, ne kemi miratuar edhe Ligjin nr.14/2016 “Për identifikimin dhe Regjistrimin e Adresës së Shtetasve Shqiptarë që jetojnë jashtë”.
Ne Mars 2021 kanë qenë të regjistruar në Regjistrin e Zgjedhësve pak më shumë se 3 mijë shtetas.
Pra, nga mbi 2.5 mln shqiptarë jashtë Shqipërisë, mund të votonin në 25 Prill vetëm 3 mijë.
Ndërsa sot janë diçka më pak se 9 mijë shtetas shqiptarë, nga të cilët vetëm rreth 6 mijë shtetas kanë të drejtën e votës.
mund t’i stimulojmë shtetasit Shqiptarë të regjistrohen? Paraprakisht, une propozoj që të kemi incentiva pozitive ndaj shtetasve shqiptare që jetojnë jashtë vendit, në mënyrë që ata të stimulohen për t’u regjistruar.
Pa diskutim një rol kryesor mund të luajë edhe KQZ, për të rritur besimin tek ky proces i ushtrimit të së drejtës së votës nga jashtë Shqipërisë.
Çështja e dytë që duhet të adresojmë është në fakt më kryesorja dhe konkretisht: Mënyra e votimit. Në nenin 25/1 të Kodit Zgjedhor, parashikohet se: “Pavarësisht nga procedura e votimit, manuale ose elektronike, votat e votuesve nga jashtë vendit administrohen nga KQZ-ja, duke garantuar integritetin e votimit dhe fshehtësinë e votës nga çdo ndërhyrje mbi fletët e votimit ose mbi informacionin elektronik të votimit që administrohet prej saj”.
Më tej akoma në nenin 25/3 të Kodit Zgjedhor parashikohet se: “Garancitë ligjore për vëzhgimin, monitorimin dhe aksesin në KQZ gjatë administrimit të votave nga jashtë vendit, si dhe për testimin, verifikimin dhe sigurinë e materialit zgjedhor apo të sistemeve të teknologjisë informatike që përdoren për këtë votim, nuk mund të jenë më të ulëta sesa ato për votimin brenda vendit”.
Ne si pale e interesuar drejtpërdrejt në këtë proces, lidhur me këto dy garanci thelbësore për të gjithë aktorët politikë e veçanërisht për opozitën jemi shumë të interesuar të njihemi me metodën apo rrugën që po eksploron KQZ për t’i plotësuar këto kritere ligjore.
Këto garanci nuk duhet të ofrohen vetëm për opozitën e sotme, mirëpo të jenë garanci që i japin besimin e nevojshëm çdo qytetari shqiptar, se qeverisja është vërtetë rezultat i vullnetit të tyre.
Çështja e tretë që duhet të adresojmë është se: Aktualisht në Kodin Zgjedhor nuk është parashikuar se ku do ta japi efektin vota e shtetasve shqiptarë nga jashtë vendit.
A do të krijojmë një Zonë të Re Zgjedhore? Pra, diaspora të konsiderohet një zonjë zgjedhore me numrin e caktuar të deputetëve përfaqësues për ta.
Apo, vota e tyre do ta japi efektin në zonën zgjedhore ku ishte regjistruar shtetasi shqiptar përpara largimit nga Shqipëria.
Në fakt, lidhur me këtë çështje personalisht jam e mendimit se kjo kërkon një tryezë të karakterit politik mes palëve.
Të dashur pjesëmarrës,
LSI ka dedikuar vullnetin e saj dhe ka sakrifikuar së shumti, gjatë gjithë viteve të ekzistencës, për një rol konstruktiv dhe bashkëpunues, sa i përket ligjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës dhe demokracinë.
Përmend këtu reformën madhore në drejtësi, që u miratua me 140 vota, apo aprovimin e ligjeve të lidhura me integrimin në BE.
Greva e urisë në 2008 e deputetëve të LSI-së dhe partive të tjera, kundra ndryshimeve brenda ditës të Kushtetutës që realizuan dy partitë e mëdha të kohës, rezultoi e drejtë.
Ato ndryshime arbitrare, i hoqën sovranitetin shtetasve shqiptarë, për ta kthyer republikën nga parlamentare në republikë kryeministrore.
Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe korrektesën politike, që ka mbajtur Lëvizja Socialiste Për Integrim në raport me angazhimin teknik si dhe me çfarë dakordësoi Këshilli Politik i vitit 2020, madje edhe me garanci Ndërkombëtare.
Shkelja e marrëveshjes së 5 Qershorit, shtrembëroi njëanshmërisht sistemin zgjedhor, dhe ky sistem zgjedhor tashmë i deformuar prodhoi një rezultat zgjedhor të manipuluar, nga ku rezultoi se Subjekti Lëvizja Socialiste për Integrim edhe pse u votua nga rreth 110 mijë zgjedhës, arriti të marrë vetëm 4 mandate përfaqësimi në Kuvendin e Shqipërisë.