TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, emëroi sot të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillim dhe prosperitet në rajon.
Sipas ambasadës britanike në Tiranë, Sir Stuart Peach do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, aleatët në dhe për të mbështetur stabilitetin rajonal, institucionet demokratike dhe shoqëritë e hapura, si dhe për të favorizuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe sfidat e përbashkëta të sigurisë.
“Lajm i mirë emërimi i të Dërguarit të Posacëm për Ballkanin Perëndimor. Sir Stuart Peach e njeh mirë Ballkanin dhe Shqipërinë. Një shenjë e qartë e rritjes së përkushtimit të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Rajonit. Mirëpresim të punojmë së bashku për mundësitë dhe sfidat e përbashkëta.” – tha Ambasadori Alastair King-Smith, i cituar nga faqja zyrtare e ambasadës britanike.
“Sir Stuart Peach do ta marrë detyrën e re pasi të ketë dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, një post të cilin e mban prej vitit 2018. Më parë ai ka shërbyer edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes së Britanisë së Madhe”, thuhet në njoftimin e qeverisë britanike.
Qeveria tha se ai do të punojë me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon dhe aleatët amerikanë dhe evropianë, për të mbështetur dhe përforcuar qëndrueshmërinë rajonale. Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke favorizuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe sfidat e tjera të përbashkëta të sigurisë, si dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara, si krimet e luftës dhe çështjen e personave të zhdukur.
Komunikata e qeverisë citon kryeministrin britanik, Boris Johnson të ketë thënë me këtë rast se vendi i tij është thellësisht i përkushtuar ndaj sigurisë në Evropë.
“Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për qëndrueshmërinë dhe sigurinë në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur sukseset e arritura përmes paqes dhe dialogut. Nuk mund të lejojmë asnjë kthim në dhunën dhe ndasitë e së kaluarës. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e zotit Peach, do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të nxitur integrimin euroatlantik në këtë rajon”, citohet të ketë thënë kryeministri Johnson.
Sir Stuart Peach do të jetë i dërguari i tretë perëndimor për rajonin. Aktualisht zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar është në postin e të dërguarit të posaçëm amerikan, ndërsa Miroslav Lajçak, në detyrën e të dërguarit të posaçëm të BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor.