AKTUALITET, 15 Mars 2023, 08:56

Si mund të regjistrohet PD për 14 Majin? Ja si përgjigjet Celibashi

Si mund të regjistrohet PD për 14 Majin? Ja si përgjigjet

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, sqaroi vendimin e tij për të mos pranuar kërkesën e grupimit të Enkelejd Alibeaj për të regjistruar PD-në në zgjedhjet e 14 Majit. I pyetur cila është zgjidhja e kësaj situate tha se ekziston një mundësi që ky vendim të kthehet në KAS ose në Kolegj Zgjedhor.

Celibashi u pyet se çfarë emri do të shënohet në fletën e votimit krahas PD-së nëse KAS ose Kolegji Zgjedhor i jep të drejtë grupimit Alibeaj.

Kryekomisioneri la të kuptohej që do të vendosej emri i Lulzim Bashës, duke qenë se rezulton si kryetar i PD-së.

Sipas Celibashit, përfaqësuesit e grupimit Alibeaj kishin kohë edhe në 14 mars, për ta adresuar çështjen në gjykatë. Sipas tij një parti politike mund të vlerësojë që të udhëhiqet nga nënkryetari.

Por për Celibashin kjo duhet bërë me një proces në gjykatë për t’i dhënë nënkryetarit legjitimitetin e plotë që të veprojë si kryetar.

Cila është zgjidhja? Çfarë do të ndodhë?

Ilirjan Celibashi: Duhet që të ishte rregulluar. Edhe sot kishin kohë. Ia thashë përfaqësuesit të Partisë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën, që nëse kanë interes për ta adresuar këtë çështje, mund të merrnin gjithë kohën dhe nuk rrezikonin asgjë.

Artan Hoxha: Duhet të çojnë emrin në gjykatë thoni ju?

Ilirjan Celibashi: Po patjetër.

Artan Hoxha: Që ju ta lexoni regjistri i partive.

Ergys Mërtiri: Nuk e njeh gjykata!

Ilirjan Celibashi: Tani e njeh, s’e njeh gjykata nuk mbaj përgjegjësi unë. Nuk ka asnjë detyrim, për asnjë parti politike që detyrimisht të zgjedhë kryetarin. Një parti politike mund të vlerësojë që të udhëhiqet nga nënkryetari. Por në këtë rast nënkryetari ka legjitimitetin e plotë që të veprojë si kryetar, por duke e bërë këtë proces në gjykatë.

Ergys Mërtiri: Por gjykata nuk e njeh pa bërë këta zgjedhje sepse statuti ua kërkon.

Ilirjan Celibashi: Nuk ka nevojë të bëjë zgjedhje, nuk ka.

Ergys Mërtiri: Si e njeh gjykata?

Ilirjan Celibashi: Duhet ta njohë.

Artan Hoxha: Gjykata mund të lexojë statutin. Pyetja ime është pse gjykata mund të lexojë statutin dhe ju jo?

Ilirjan Celibashi: Sepse është atribut i gjykatës për ta lexuar statutin, jo i yni.

Nëse KAS ose Kolegji Zgjedhor i jep të drejtë, domethënë përfaqësimit të zotit Alibeaj që të regjistrohet në zgjedhje. Në fletë do shënohet, PS, Edi Rama. PL, Ilir Meta. Partia Demokratike, kush emër do të shënohet?

Ilirjan Celibashi: Ja më thoni ju kush emër do të shënohet?

Pyetje: Lulzim Basha? Si do shkojnë shqiptarët të votojnë, PD, Lulzim Basha? Pra edhe po u regjistrua Alibeaj, emri do të mbetet Lulzim Basha?

Ilirjan Celibashi: Kush mund të ishte emri tjetër që do të shënohej në fletën e votimit përbri Partisë Demokratike?

Pyetje: Po si, Lulzim Basha nuk është në zgjedhje? Pjesa e PD që drejtohet nga Sali Berisha, si mund të regjistrohet në zgjedhje? Ju thoni që për te Alibeaj është çështja e ngërçit e emrit të kryetarit të partisë dhe nëse e kuptova mirë edhe nëse KAS ose Kolegji Zgjedhor vendos që të regjistrohen, pra vendos që kjo deklaratë mund të firmoset nga Alibeaj, në letrën zgjedhore do shkruhet PD, Lulzim Basha.

Blendi Fevziu: Çfarë bëhet me partinë tjetër të zotit Berisha?

Ilirjan Celibashi: Nuk ka parti tjetër, ka vetëm një parti.

Pyetje: Po tani si regjistrohet ajo, se që janë parti ata janë, s’janë me letrat që thotë gjykata, janë në realitet.

Ilirjan Celibashi: Nuk di të them sesi do të jetë sjellja e grupimeve të caktuara, qoftë këto edhe politikisht të përfaqësuara ose jo./Tv klan