TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një konflikt që dyshohet se nisi për një parakalim me makinë përfundoi me plagosjen me armë të një 37-vjeçari në Berat. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 në hyrje të qytetit të Beratit, ku 37-vjeçari Fabjel Toska i njohur edhe si Fabjel Xhindi ishte duke lëvizur me makinë në shoqërinë e një të njohuri.
Mësohet se një automjet tjetër i ka parakaluar, ndërsa 37-vjeçari e ka sinjalizuar të ndalonte. Shoferi tjetër nuk ka ndaluar, ndërsa Fabjel Toska e ndjekur pas, ku dyshohet se është afruar te xhami i shoferit dhe i ka kërkuar shpjegim se përse parakaloi. Gjatë një debati me tonë të ashpra, shoferi tjetër ende i paidentifikuar e plagosi me armë zjarri 37-vjeçarin Fabjel Toska, i cili mësohet se ka marrë një plumb në bark.
Fabjel Toska u dërgua në Spitalin e Beratit nga personi që e shoqëronte, ndërsa bluzat e bardha konfirmojnë se është jashtë rrezikut për jetën.
Në dëshminë e parë Fabjel Toska alias Xhindi dhe shoku i tij kanë deklaruar se nuk e njohin personin që qëlloi me armë zjarri, ndërsa në drejtimin e Prokurorisë së Beratit është ngritur një grup hetimor që po punon për sigurimin e provave, të cilat do të shërbejnë për identifikimin e autorit dhe për zbardhjen e ngjarjes.
"Rreth orës 00:55, është dërguar në spital për ndihmë mjekësore shtetasi F. T. (Xh)., 37 vjeç, banues në Berat, i plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, në hyrje të qytetit.
37-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve"- njoftoi policia.