TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU) ka vendosur të dalë e vetme në zgjedhjet lokale të 14 majit. Drejtuesi i kësaj partie, Shpëtim Idrizi ka bërë me dije se nuk do i bashkohet asnjërës nga partive të tjera në këto zgjedhje.
Madje Idrizi thotë se nuk është kontaktuar nga asnjë nga dy palët e PD-së për t’i kërkuar bashkëpunim. Ai bëri thirrje që në zgjedhjet lokale të mos votohet Fredi Bejleri për Bashkinë Himarë duke e konsideruar si person të akuzuar për masakrën e Peshkëpisë si dhe të dënuar për dhunim të simboleve kombëtare.
“Bazuar në ndryshimet e fundit Kushtetuese për heqjen e koalicioneve, PDIU ka marrë vendimin që të dalë e vetme në zgjedhje.
Më duhet të theksoj që PDIU nuk është kontaktuar asnjë herë, nga asnjë nga dy palët e PD-së, për të kërkuar bashkëpunimin e saj.
PDIU e ka bërë të qartë që nuk përfshihet dhe nuk mban anë në debatin e brendshëm në PD, por në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje, që ata që flasin në emër të demokratëve e kanë detyrë që të bashkohen e të sjellin një forcë solide në zgjedhjet që priten të mbahen.
Shqiptarët e Çamërisë e njohin mirë historinë e tyre dhe të të parëve të tyre dhe e dinë mirë se si i vrau e masakroi Napoleon Zerva me bandat e tij dhe se si tentoi t'i vriste për së dyti Enver Hoxha dhe komunistët, por po kaq e padrejtë është dhe intimidimi, indiferenca e partive politike kryesore në këto 32 vite. Çështja Ҫame do të zgjidhet kur të gjitha partitë politike me mbështetjen e aleatëve tanë SHBA, BE dhe Britani e madhe, të vendosin të parin interesin kombëtar dhe jo partiak a të liderve të tyre.
PDIU nuk i ka bërë kurrë thirrje mbështetësve të një partie tjetër politike se si duhet të votojnë, por sot është koha t'i bëjmë thirrje shqiptarëve të mos votojnë Fredi Bejlerin, njeriun e akuzuar për masakrën e Peshkëpisë dhe i dënuar me vendimin e Gjykatës Vlorë, me nr 224/24.9 2004 dhe me numër 302/ 26.12.2006, me 3 vite burg për dhunim të simboleve shtetërore shqiptare.
Shqiptarët nuk mund e nuk duhet të votojnë njeriun që bën edhe sot fushatë me flamurin e Vorio Epirit, i cili advokon autonominë e Vorio-Epirit, që tenton të prekë tërësinë territoriale të Shqipërisë, atdheut tonë”- shkruan Idrizi.