BOTA, 17 Korrik 2025, 11:50

Reagimi/ Izraeli bombardon Kishën Katolike në Gaza, Meloni e ashpër: Prej muajsh po sulmohen civilët! Kjo është e papranueshme

Reagimi/ Izraeli bombardon Kishën Katolike në Gaza, Meloni e

Kisha Katolike në Rripin e Gazës është goditur nga një sulm ajror izraelit këtë të enjte, 17 korrik, duke shkaktuar dy viktima dhe të paktën tetë të plagosur rëndë.

Sipas asaj që raporton agjencia italiane e lajmeve, ANSA, në mesin e të plagosurve është edhe atë Gabriel Romanelli, famullitari i kishës.

Atë Gabriel Romanelli, 56 vjeç, është me origjinë nga Buenos Aires, Argjentinë, dhe ka rrënjë italiane. Ai është prift i Institutit të Fjalës së Mishëruar dhe shërben në Gaza prej shumë vitesh.

Romanelli jeton në Lindjen e Mesme prej afro 30 vitesh, ku është i angazhuar në shërbimin baritor dhe humanitar për komunitetin e krishterë në zonat e konfliktit.

Për rastin në fjalë ka ardhur edhe një reagim urgjent i kryeministres italiane.

“Bastisjet izraelite në Gaza goditën edhe Kishën e Familjes së Shenjtë. Sulmet kundër popullsisë civile që Izraeli ka kryer prej muajsh janë të papranueshme. Asnjë veprim ushtarak nuk mund ta justifikojë një qëndrim të tillë” – shkruan Meloni.

Ende nuk janë bërë të ditura detaje të plota mbi rrethanat e sulmit, ndërsa situata në Gaza mbetet e tensionuar dhe e rrezikshme për civilët dhe komunitetet fetare.