AKTUALITET, 14 Maj 2026, 11:32

“Pse më sheh”/ Plagosi me thikë 42-vjeçarin, kapet pas 2 ditësh kërkime autori i dyshuar! Kamerat e zbuluan, në momentin e arrestimit ishte i dehur

“Pse më sheh”/ Plagosi me thikë 42-vjeçarin, kapet

Lokalizohet dhe arrestohet pas kërkimeve që zgjatën dy ditë ndaj të dyshuarit për plagosjen me thikë të 42-vjeçarit Olsi Muçodemi në Sarandë.

Nuk ka zgjatur shumë arratia e 45-vjeçarit Ylber Hamzaj, banues në fshatin Kryemadh të Kukësit.

Pas një sherri mes tyre, me motivin banal “pse më sheh”, i dyshuari goditi me mjet prerës Muçodemin, duke i shkaktuar atij plagë në gjoks dhe dorë, teksa u largua për të mos u kapur nga policia.

I kërkuari kishte dalë nga qyteti me synimin për t’u arratisur. Policia, që përmes kamerave të lokaleve tek vendi i ngjarjes, kishte piketuar autorin dhe ishte vënë në kërkim të tij dhe arriti ta kapte atë në Qafën e Gjashtës.

Në kohën kur u kap nga policia, ishte në gjendje të dehur. Sipas burimeve mësohet se 45-vjeçari kishte pak ditë që ndodhej në Sarandë dhe kishte ardhur për punë.

Ndërsa grindja që çoi në përdorimin e mjetit prerës ishte i momentit, “pse më sheh”. Të dy personat nuk kishin njohje me njeri-tjetrin.