TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Tre ditë më parë, në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, Ervin Hodaj, shef i krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, deklaroi se në rastet e fundit të kapjes së kokainës, lënda narkotike ishte futur përmes Portit të Durrësit. Njëra prej këtyre dërgesave, sipas policisë, ishte kokainë e futur në lëkurët e gjedhit, që u kapën, pas një operacioni të urdhëruar nga SPAK, javën e kaluar.
Prej vitesh, Policia e Shtetit raportoi me dhjetëra raste të kapjes së dërgesave me kokainë në kontejnerët e ngarkuar me banane, fruta ekzotikë dhe mallra të tjerë. Deri në vitin 2022, në Portin e Durrësit u kapën rreth 1.5 tonë kokainë, e cila, nëse do të arrinte të dilte në treg, do të kapte vlerën e më shumë se 400 milionë eurove. Sasitë e mëdha të kokainës u kapën kryesisht të fshehura në kontejnerët që transportonin fruta ekzotike.
Ndër më spektakolarët ishin: Më 27 shkurt 2018, në kontejnerët me banane, në pronësi të Arbër Çekajt, u gjetën 613 kg kokainë.
Në shtator të vitit 2019, në portin e Durrësit, përmes 2 kontejnerëve të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, u kap një sasi prej 137 kg kokainë.
Më 18 qershor 2022 u kapën në portin e Durrësit 325 kg kokainë që kalonte transit në territorin shqiptar me destinacion Italinë. Droga u gjet në serbatorin e një kamioni me targa të huaja. Më 10 prill, një tjetër sasi prej 134 kg u gjet në një kontejner të mbushur me banane për llogari të kompanisë “Masabi Fruits” me seli në kryeqytet.
Në datën 1 prill 2022 u kap një sasi prej 49 kg kokainë, që vinte nga Amerika Latine në një kontejner me banane në pronësi të Selim Çekajt, babait të Arbër Çekajt.
Në datën 17 maj 2022 një tjetër sasi prej 400 kg kokainë, e futur nga porti i Durrësit, u sekuestrua në Kosovë.
Për 4 muaj në kontejnerët e “Alba Exotic Fruit” u kapën 6 ngarkesa me kokainë, me peshë rreth 43 kg në total.
Në dy episode të ndryshme, të ndodhur në janar dhe në nëntor 2022, u sekuestrua në total rreth 150 kilogramë kokainë në kontejnerët me banane të porositura nga shoqëria “Zico sh.a.”, e njohur me emrin tregtar, “Bana King”.
Në korrik 2022 në kontejnerin e “Bana King”, rezultoi se mungonin 49 arka që dyshohet se ishin me kokainë. Nga hetimet rezultoi se ishin porositur 1200 arka me banane me mbishkrimin “Jumbo Bana King”, por në fund munguan 49 arka. Hetuesit konstatuan rrëmujë, zhvendosje arkash dhe mungesë të tyre nga raftet e kontejnerit. Hetimet nisën mes datave 8 korrik kur erdhi kontejneri dhe 16 korriku kur u konstatua se ishte pa plumbçe dhe i hapur.
Pas kapjes së dërgesës tjetër në nëntor 2022, policia tha se kishte shpallur në kërkim pronarin e "Banaking", Trifon Murataj, ndërsa arrestoi administratorin e kompanisë dhe dy punonjës të skanerit në portin e Durrësit.
Por edhe pse policia deklaroi se ishte shpallur në kërkim shtetasi Trifon Murataj, 53 vjeç, banues në Tranë, president i kompanisë pritëse të ngarkesës me banane dhe se vijonte intensivisht puna për kapjen e tij, sot, pas dy vitesh asgjë nuk dihet për fatin e Muratajt.
Prej kësaj kronologjie të “lavdishme” të kapjes së qindra kilogramëve me kokainë, prej dy vitesh mungojnë raportimet dhe raportimet për kapjen e drogës së rëndë u prenë si me thikë.
Si për rastësi gjithçka përkon me mbylljen e zyrës së UNODC-së në Tiranë.
TPZ raportoi në shtator 2022, se OKB-ja solli në Shqipëri një zyrtare të lartë ruse, të natyralizuar si kanadeze, e cila do të mbikqyrte kontrollin e kufijve të Europës Juglindore. Zyrtarja e OKB-së, me origjinë nga Dagestani, një republikë e vogël me shumicë myslimane brenda Federatës Ruse nuk qëndroi gjatë në Tiranë.
LEXO KETU
Katër muaj më pas Shqipëria vendosi t’i refuzojë akreditimin shtetases Nadia Chamilova, që erdhi në korrik në Shqipëri si përfaqësuese e UNODC, Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimit.
LEXO KETU
Prej asaj kohe, Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin u mbyll, siç mund të shihet edhe në faqen online të OKB-së në Shqipëri.
https://albania.un.org/en/about/our-team
Lajmi nuk është bërë publik dhe as motivi përse OKB-ja duhet të mbyllë Zyrën për Drogën dhe Krimin në vendin e vogël ballkanik që prej gati tre dekadash kryeson listën rajonale për trafik droge dhe krim të organizuar. Tashmë zyra për Shqipërinë, bashkë me atë të Malit të Zi, do të drejtohet nga Stambolli prej diplomatit Danilo Rizzi, Përfaqësues Rajonal i Zyrës Rajonale për Evropën Jug-Lindore të luftës kundër Drogës dhe Krimit.
Ndërkohë Shqipëria, pak a shumë për të njëjtën periudhë ka raportuar zero kapje të kokainës dhe drogave të tjera të forta në portin e Durrësit dhe në Aeroportin e Rinasit, ku, prej vitesh funksiononte programi i UNODC-së për kontejnerët, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë. Njoftimi i fundit për ish-zyrën e UNODC-së në Tiranë është një fjalim për krimin i Fiona Mccluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së për Shqipërinë.
Megjithëse zyra e UNODC-së është mbyllur prej mëse dy vitesh, aktiviteti i saj vazhdon, të paktën në nivel burokratik.
Danilo Rizzi, përfaqësuesi i Zyrës Rajonale të UNODC-së ishte për vizitë zyrtare në Tiranë në datat 26-29 shtator, për të folur për kapjen e heroinës në Shqipëri dhe për takime me zyrtarët shqiptarë.
TPZ i kërkoi një takim për intervistë zotit Rizzi që më 19 shtator përpara se të vinte në Shqipëri, por nuk mori përgjigje. E njëjta kërkesë në numrin personal telefonik të zyrtarit të lartë e nisur më 23 shtator sërish mbeti pa përgjigje. Ai erdhi, ndenji disa ditë, takoi disa zyrtarë vendorë, siç ishte ai me zv/ministren Megi Fino, dhe iku.
View this post on Instagram
TPZ i kërkoi më 14 tetor takim për intervistë edhe Fiona Mccluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së për Shqipërinë, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Pak histori droge
Sipas të dhënave zyrtare, nga shkurti 2022 dhe deri më sot, kapja e drogave të forta dhe e mallrave kontrabandë në portin e Durrësit ka qenë zero, duke shënuar një rast unikal në rajon, Evropë dhe në të gjithë botën.
Po sipas të dhënave zyrtare të UNODC-së, prej vitit 2015 deri në vitin 2021, kur ende funksiononte programi i konteinerëve dhe ishte akoma e hapur zyra e Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin, trafiku i drogave të forta u rrit me mbi 100 për qind dhe vetëm sasia e kokainës së sekuestruar arriti në rreth 1 ton.
Në publikimin e rreth tre viteve më parë, UNODC raportoi se falë Programit të Kontrollit të Kontejnerëve ishin sekuestruar 806 kilogramë kokainë, 280 kilogramë heroinë, 10 ton marijuanë, 1.3 milionë cigare, 500 mijë euro mallra kontrabandë, 71.500 euro të padeklaruara ose të falsifikuara, armë, municione etj.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), prej vitit 2013 nisi zbatimin e Programit të Kontrollit të Kontejnerëve, që aplikohet në 21 porte të ndryshme të botës, përfshirë edhe portin e Durrësit. Sipas llogarive, në një vit nëpër botë qarkullojnë për qëllime tregtare rreth 500 milionë kontejnerë dhe vetëm 2 për qind e tyre arrin të kontrollohet. Ata që kontrollohen, përzgjidhen sipas metodologjisë së riskut, duke u bazuar te vendet e origjinës, veçanërisht, nëse vijnë nga vendet e Amerikës Latine.
Me rreth 6800 kontejnerë që futen çdo muaj në portin e Durrësit, Njësia e Kontrollit të Kontejnerëve, kishte në përbërje përfaqësues të Doganave dhe Policisë Kufitare, ndërsa Policia e Shtetit ka aty 80 punonjës, nga të cilët 2 punonjës me detyrë ndihmës-kontrollor janë pjesë e strukturës së Njësisë së Përbashkët të Kontrollit të Kontejnerëve.
UNODC me qendër në New York në raportin e vitit 2023 theksoi se Shqipëria është një nga vendet kryesore tranzit të trafikimit të heroinës dhe kokainës. Raporti publikoi dy harta në të cilat përfshihet Shqipëria. Në hartën e parë: “Vendet kryesore të identifikuara si burim dhe tranzit i ngarkesave të heroinës, bazuar në konfiskimet për periudhën 2018-2021”, Shqipëria është e ngjyrosur me rozë së bashku me shtete të tjera të Ballkanit, si rrugë tranzite e trafikimit të heroinës.
Në një tjetër hartë “Rrugët e raportuara të trafikut të kokainës dhe kanabisit midis shtetit shumëkombëtar të Bolivisë dhe vendeve dhe territoreve të tjera, 2010–2022”, Shqipëria ka lidhje direkte me Bolivinë për trafikun e kokainës. Vendi është dhe në harta të tjera si ajo e trafikimit nga Kolumbia, por gjithsesi për këtë të fundit rekordin në Evropë e mbajnë Italia, Belgjika e Spanja.
Raporti tha se nga viti 2012 është rritur konkurrenca e grupeve nga Ballkani, duke filluar me grupet shqipfolëse, në prokurimin direkt të kokainës nga Amerika Latine, çka ka rritur konkurrencën mes trafikantëve që furnizojnë tregjet e Europës Qendrore e Lindore, destinacioni i dytë më i madh për drogat. Kjo konkurrencë ka përmirësuar eficiencën në zinxhirët e furnizimit, ka përmirësuar cilësinë dhe ka ulur çmimet, duke ndikuar në rritjen e konsumit.
Por, prej dy vitesh, Shqipëria i ka larë duart me drogat e forta, zyrtarisht.