AKTUALITET, 18 Nëntor 2022, 20:35

TPZ e denoncoi ardhjen e saj dy muaj më parë, Shqipëria refuzon të akreditojë shtetasen ruse të UNODC-së (INTERVISTA EKSKLUZIVE)

TPZ e denoncoi ardhjen e saj dy muaj më parë, Shqipëria refuzon
Nadia Chamilova

Shqipëria vendosi t’i refuzojë akreditimin shtetases Nadia Chamilova, që erdhi në korrik në Shqipëri si përfaqësuese e UNODC, Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimit. Shtetasja ruse nga republika e Dagestanit, por me pasaportë kanadeze, duhet të merrte akreditimin që të niste punën në zyrën e UNODC, megjithëse ajo e ka bërë këtë prej gati tre muajsh, edhe pa leje pune dhe qëndrimi.

TPZ e denoncoi ardhjen e kësaj shtetaseje ruse në pozitë të lartë dhe mision të rëndësishëm në Shqipëri që më 20 shtator. (LEXO KËTU)

Sipas shkresave të siguruara nga tpz.al, më 31 maj 2022, Zyra e OKB-së për Drogat dhe Krimin (UNODC) njoftoi Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në OSBE, se zonja Naida Chamilova është emëruar shefe e Zyrës së Programeve të UNODC-së në Shqipëri. Përmes një shkrese të datës 1 qershor 2022, ambasadorja e Shqipërisë në OSBE, Vjenë, Eglantina Gjermeni, njoftoi Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, se Chamilova do të niste detyrën më 1 korrik, duke qenë njëherësh edhe Koordinatore Rajonale për Progamin e Kontrollit të Konteinerëve UNODC-WCO për Europën Juglindore.

Në letrën e shefit të Seksionit të UNODC-së për Europën, Azinë Perëndimore dhe Qendrore, Alexandre Schmidt, thuhet se Chamilova iu bashkua UNODC-së në vitin 2016, ndërsa edukimi i bazë është ai për mësuesi, diplomuar në Republikën ruse të Dagestanit në vitin 1985 dhe më pas në Moskë, ku ka kaluar shumicën e jetës dhe të përvojës profesionale.

Sipas informacioneve të siguruara nga tpz.al, Ministria e Europës dhe e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ende nuk ia kishte dhënë kredencialet zonjës Chamilova, pa të cilat ajo nuk mund të nisë punë në Shqipëri.

Zonja Chamilova ishte, ashtu siç e shënon në profilin e saj profesional në Linkedin, përfaqësuese e zyrës së UNODC-së në Kiev të Ukrainës dhe u largua pas nisjes së pushtimit rus dhe shumë zyrtarë të tjerë si ajo tashmë janë angazhuar prej disa javësh në kontrollin e konteinerëve në portet e Ukrainës, ku ka nisur eksporti i drithërave, falë marrëveshjes së nënshkruar me ndërmjetësimin e Turqisë, nën mbikqyrjen e OKB-së.

TPZ u drejtoi disa pyetje zyrtarëve të lartë në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, por vetëm sot, koordinatori për informim në ministri iu përgjigj pyetjeve të dërguara në adresë të sekretarit të Përgjithshëm, Gazmend Turdiu.

TPZ: Cili është portofoli i aktiviteteve te Programit të UNODC në Shqipëri që të justifikojë hapjen e një pozicioni të tillë në Tiranë sidomos kur rezulton që Shqipëria nuk është pjesë e Programit rajonal për kontrollin e kontenjereve në Europën Juglindore. Si e mikpret Shqipëria këtë post?  Dhe pse nuk kanë trajtim të njëjtë të rekrutuarit shqiptarë që punojnë për OKB-në?

Hapja e këtij pozicioni lidhet me politikën që ndjek UNODC ndaj rajonit. 

TPZ: Kemi informacion që buxheti i UNODC për Shqipërinë është mjaft i vogël. Nga paguhet kjo koordinatore rajonale?    

Kjo koordinatore paguhet nga fondet e UNODC. 

TPZ: Përse zonja Chamilova stacionohet në Shqipëri si Koordinatore rajonale e Programit të Kontrollit të Konteinerëve kur vendi ynë nuk është pjesë e këtij Programi rajonal? Cila është vlera e shtuar e Shqipërisë në akomodimin e këtij posti në Tiranë ku përfitojnë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Shqipërisë?  

Ritheksojmë që hapja e këtij pozicioni lidhet me politikën që ndjek UNODC ndaj problematikave të rajonit. 

TPZ: Mos po pranojmë të harxhojmë më shumë për staf sesa për ndërhyrje efikase në luftën kundër drogave të cilat përbëjnë shqetësim dhe prioritet për qeverinë?   

Hapja e këtij pozicioni nuk është bërë me kërkesën e qeverise shqiptare por është një vendim i UNODC. 

TPZ: Pse vjen ketu ajo kur programi që menaxhon është aktiv në Ukraine pavarësisht se vendi është në gjendje lufte dhe UNODC së fundmi rriti prezencën në Kiev?   

Kjo pyetje duhet t’i adresohet UNODC. 

TPZ: Përse Misioni ynë me Vjenë nuk ka reaguar me shqetësim në kohën e duhur, por shkresat e botuara tregojne se ka bërë vetëm përcjellësin e vendimit të UNODC?  Përse ky mision nuk ka ngritur shqetësim mbi nacionalitetin dhe pervojën jorelevante të zonjës, duke qenë se qytetarja e natyralizuar nuk duhet të jetë element rrisku pa indicie, shqetësim që e kane ngritur edhe analistë të ndryshëm në studio televizive që në fakt u bënë shkas për hulumtim dhe shkrimin e mësipërm?  

Misioni i RSH në Vjenë ka detyrë vetëm të përcjellë pranë MEPJ praktikën e emërimit të personit në fjalë. Janë institucione te tjera ato që vlerësojnë përshtatshmërinë e akreditimit të këtij personi pranë autoriteteve shqiptare për të ushtruar detyrën. Ndërkohë referencat për shtetësinë e personit nuk përbëjnë kusht të domosdoshëm për moslejimin e ushtrimit të aktivitetit në Shqipëri për sa kohë që personi është funksionar i OKB.  

TPZ: Sipas korrespondencës, zonja Chamilova ka filluar punë që në 1 Korrik 2022. Mbi çfarë modalitetesh po punon ajo kur nuk dimë statusin e saj se informacionet që ne disponojmë tregojnë që MEPJ nuk ka asnjë reagim për këtë emerim, por ajo vazhdon të punojë e pashqetësuar?  

Znj. Chamilova rezulton të jetë emëruar zyrtarisht nga UNODC. Qëndrimi i saj në Shqipëri bazohet në Ligjin për të Huajt, ndërkohë që akreditimi i saj pranë autoriteteve shqiptare është një proces qe vlerësohet nga disa institucione.