TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

I penduari i drejtësisë dhe njëherësh një nga eksponentët më të lartë të krimit në Elbasan, Erjon Alibej ka kërkuar në seancën e sotme që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme, që avokatët të mos kenë dëshminë e plotë që ai ka dhënë para SPAK.
Bëhet fjalë për avokatët e personave të pandehur në proces bashkë me Erjon Alibej, të cilët kanë pretenduar dhe në seancën e kaluar se është e pandershme që aktet hetimore që i ka prokurori, të mos i kenë dhe ata.
Mirëpo, sipas Alibej, avokatët e personave të pandehur për të cilët ai ka vendosur të flasë dhe të tregojë krimet e kryera, nuk kanë interes për dosjen dhe gjyqin por duan që deklarimet e tij t'ua japin kundërshtarëve që janë ende në liri.
Prokurori Behar Dibra ka theksuar edhe në seancën e kaluar se pyetjet dhe diskutimet në sallën e gjyqit duhet të bazohen vetëm në ato që ka Erjon Alibej ka thënë në seancë, përballë tyre, kurse deklarimet e tjera përpara prokurorëve nuk mund të diskutohen.
Edhe prokurorja Doloreza Musabelliu argumentoi se aktet ndodhen në dosje dhe se nuk ka vend për të vënë në diskutim statusin e bashkëpunëtorit.
Sipas Erjon Alibej, nga ato që ai ka thënë vetëm 25% u takojnë personave që janë të pandehur bashkë me të në sallën e gjyqit, kurse pjesa tjetër e deklarimeve lidhet me kundërshtarët e tij që nuk janë mundur të ndalohen, ndaj dosja nuk duhet të shpërndahet.
"Unë kam bërë një deklarim shumë të gjerë dhe në gjykimin tim i takon vetëm 25% të këtyre të akuzuarve këtu. Kush e mbron Plarent Dervishajn nga ju? Suel Çelën? Apo njerëz të trafikut të drogës? Për persona që nuk janë pjesë e këtij procesi, unë do isha i pari që do i kërkoja gjykatës të viheshin fashikujt në dispozicion. Kam dhënë një deklarim shumë të madh, kam përmendur shumë njerëz. Sa herë që do kërkohet nga çdokush, unë mezi pres të ballafaqohem me këdo. Do ju lutesha që deklarimet e mia të mëparshme të mos i viheshin në dispozicion avokatëve. Unë i di shumë mirë lojërat e këtyre. Avokatëve nuk u intereson çfarë kam thënë unë, por kanë interes për kundërshtarët tanë që janë jashtë”.
Në këtë moment të pandehurit u ngritën dhe u larguan nga salla. Kurse prokurori Behar Dibra kujtoi se procesverbali është i shkruar dhe dokumentuar.
“Ai procesverbal është me formë të shkruar, është dokumentim i marrjes në pyetje i Erjon Alibej, në datat 15-20 qershor 2022. Procesverval transkriptimi, aty ka të dhëna dhe për fakte të tjera. Dhe për aktivitet trafikimi narkotikësh, nuk është objekt i ketij gjykimi. Nuk ka vlerë juridike. Ja vumë në dispozicion gjykatës për të treguar se nuk kemi gjë për të fshehur, apo për ta mbajtur sekret. Por nuk ka vlerë juridike. Dua të mos ketë më diskutime në këtë pikë, por të vazhdojë gjykimi”, tha ai, duke ngriur shqetësimin se materialet kanë informacione që nuk duhet të dalin përtej institucionit deri në momentin e përshtatshëm të procesit, sepse nuk u përkasin palës mbrojtëse apo të pandehurve.
Në këtë proces është i penduar i drejtësisë edhe Nuredin Dumani, i cili zbërtheu i pari aktivitetin kriminal të organizatave të ndryshme dhe një sagë të gjatë ekzekutimesh dhe krimesh në Shqipëri, me pagesë apo për hakmarrje dhe rivalitet në aktivitetet e paligjshme. Dumani seancën e kaluar shprehu dëshirën që të ishte prezent gjatë dëshmisë së mikut të tij, bashkëpunëtorit Erion Alibej.