AKTUALITET, 19 Prill 2023, 11:23

PD: 127 emërime nepotike në Bashkinë e Tiranës. Drejtorët kanë të punësuar familjarët

PD: 127 emërime nepotike në Bashkinë e Tiranës.

Partia Demokratike ka denoncuar publikisht se në Bashkinë e Tiranës po kryhen punësime familjare. Në një dalje për mediat, zëdhënësja e fushatës për Bashkinë e Tiranës, Silvi Bardhi deklaroi se Veliaj ka lënë mbi 10 milionë euro borxhë në Bashki, përgjatë dy mandateve që ka qenë në drejtim të saj. 

Më tej, Bardhi shtoi se tek 270 emra të nëpunësve, rezultojnë 127 emërime nepotike. Sipas PD-së, drejtuesit më të rëndësishëm të Bashkisë kanë futur familjarët dhe të afërmit në pozicione të rehatshme, me rroga të mira.

Deklarata e plotë:

Mbi 10 milionë euro borxh ka lënë Erion Veliaj në dy mandate që ka drejtuar Bashkinë e Tiranës. Këto janë detyrime që do t’i shlyejnë qytetarët e Tiranës. Teksa ka rritur taksat dhe tarifat dhe ka lëshuar policinë bashkiake në fushata ndëshkimi duke vjelur miliona euro, sërish, të gjitha këto nuk i mjaftojnë Erion Veliajt. Kjo është qeverisja e tij. Janë qindra punonjës të Bashkisë që paguhen me taksat tona, thjesht për t’i shërbyer Erion Veliajt, profilit të tij personal, interesave politike që ai ka.

Qindra punonjës që mbahen me taksat tona, kujdesen që Erjon Veliaj të dalë mirë në publik, të pëlqehet, t’i bëhet shpërndarje në rrjetet sociale. Vetë Erion Veliaj, në gjysmën e parë të vitit të kaluar, ka kaluar 4 muaj e gjysmë jashtë shtetit, duke marrë të paktën 11 mijë euro dieta. Ndërkohë që me këto udhëtime nuk i ka sjellë qytetit asnjë përfitim, asnjë investim të huaj, asnjë shërbim që të jetë i vlefshëm për jetën tonë.

Gjatë një vëzhgimi të pjesshëm të nëpunësve, tek 270 emra, rezultojnë 127 emërime nepotike. Drejtuesit më të rëndësishëm të Bashkisë kanë futur familjarët dhe të afërmit në pozicione të rehatshme, me rroga të mira.

Kjo është e padrejtë. Taksapaguesit më të varfër të Europës nuk kanë pse të sakrifikojnë kaq shumë, që Erion Veliaj të duket bukur në publik. Duhet ndryshim. Qytetarët e Tiranës e kanë në duart e tyre ta kthejnë Bashkinë në normalitet e në shërbim të qytetit, jo të kryetarit.