TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pavarësisht rritjes së pagave, shqiptarët duan të largohen nga vendi. Ndonëse në rënie të lehtë në raport me vitet e mëhershme, mbi 8 mijë e 500 shqiptarë kërkuan azil në një nga vendet e bashkimit europian në harkun e muajve janar-nëntor 2023.
“Emigracioni justifikohet ose në gjendje lufte, ose fatkeqësi natyrore, tani e kemi individual emigracionin. Qeveria duhet të gjejë shkaqet për ta demotivuar emigracionin dhe jo ta shohë si të drejtë individuale. Shkaqet, ritmi i reformave është shumë i ngadaltë, duhet përmirësuar cilësia e shërbimeve”, -tha Ilir Gedeshi, ekspert për çështjet e migracionit.
“Pjesa më e madhe që i shtynë janë 3 indikatorë një punë më e mirë arsim më i mirë shëndetësi më e mirë”, tha Eldisa Cirogu, eksperte e çështjeve të emigracionit. Të dhënat nga Agjencia e Bashkimit Europian për Azilin tregojnë se gjatë vitit të shkuar, pjesa më e madhe e shqiptarëve kërkuan azil në Francë, ndjekur nga Gjermania, Italia, Greqia dhe Holanda.
“Shtet e Rajonit nuk janë më tërheqëse për shkak se nuk ofrojnë ndonjë standard të lartë pagash, Ndaj Perëndimi është kthyer në dekadën e fundit në destinacionin kryesor të shqiptarëve”, -tha eksperti. Në pritje të publikimit të gjetjeve të Cens-it, të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se vetëm në tetë vitet e fundit, numri i të rinjve deri në 24 vjeç është pakësuar me 206 mijë. Nga mbi 1 milionë në 2015-n, në vend tani ka më pak se 812 mijë të rinj e të reja.
“E përkthyer në ekonomi kjo do të thotë më pak krahë pune, rrudhje e të ardhurave e më shumë pensionistë e pagesa nga buxheti i shtetit. Kjo është fotografia e Shqipërisë së 33 viteve demokraci”, tha Cirogu. Largimi në masë e i vijueshëm i të rinjve ka bërë që mosha mesatare në vend të rritet, duke u rritur me 3.8 vite vetëm në harkun e viteve 2015-2023.