AKTUALITET, 25 Nëntor 2021, 14:37

Operacioni “Morina”/ Trafik emigrantësh nëpërmjet Kosovës, shtatë të arrestuar

Operacioni “Morina”/ Trafik emigrantësh nëpërmjet

Vijon operacioni policor i koduar “Morina”, goditen 7 raste të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Morina”, si dhe në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Kukës, për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Kukës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës, goditën 7 raste të tjera të kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-A.V, 21 vjeç, T.H, 24 vjeç, J.H, 31 vjeç, A.SH, 20 vjeç, D.D, 18 vjeç dhe A.D, 23 vjeç, të gjithë banues në Tiranë dhe Florin Dauti, 18 vjeç, banues në Kukës.

Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi M. Gj., 53 vjeç, banues në fshatin Gziq, Mirditë.

Këta shtetas janë arrestuar në flagrancë, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me automjete të ndryshme, emigrantë të paligjshëm, që të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin në drejtim të Kosovës, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjetet që përdoreshin për të transportuar emigrantët.

Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.