TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Eksperti i pushtetit vendor, njëkohësisht edhe drejtori ekzekutiv i “Instituti për bashkitë”, Agron Haxhimihali, kritikoi mënyrën se si bëhet Reforma Territoriale duke e parë gjithçka me syrin politik dhe ata që e vuajnë janë qytetarët të cilëve u largohen shërbimet nga autoritetet lokale.
Ai tha në studion e emisionit “Kjo Javë” se qytetarët duan shërbime dhe përfaqësim dhe gjatë diskutimeve që bëhen për një reformë sa më të drejtë dhe funksionale, pjesëmarrësit të mos ndahen në të majtë dhe të djathtë dhe çështjet të politizoheshin.
Teksa analizoi dhe komentoi turin e dëgjesave me qytetarët në rrethe nga Komisioni i reformës Territoriale, deri tani në katër qarqe, e cilësoi si një ndërmarrje pozitive, por theksoi se nuk duhet të përdoret politikisht. Ai u shpreh se jemi në vitin 2026 dhe ndarja politikisht në të majtë e të djathtë nuk i shkon vendit tonë.
“Në dimensionin politik kam një vlerësim shumë të mirë të klimës pozitive mes mazhorancës dhe opozitës, midis bashkëkryetarëve. Për mua është një mesazh që për reforma të tilla duhet të jemi tolerant, bashkëpunues. Dhe çfarë nuk kam parë si pozitive është instrumentalizimi i pjesëmarrësve. Sepse kurrë nuk do pëlqeja që të ndaheshin , këtej të majtë e të djathtë. Kam qenë kritik e kam shprehur, nuk është ky stili, nuk është ky stil që i shkon Shqipërisë në vitet 2026, nuk duhet të instrumentalizojmë pjesëmarrësit”, tha ai mes të tjerash për “News24”.
Haxhimihali vuri në dukje gjatë diskutimit se qytetarët kanë pasur ankesa të vazhdueshme lidhur me mungesën e përfaqësimit, shërbimeve.
Ndaj nënvizoi se në këto dëgjesa nuk duhet të ketë të majtë e të djathtë, por duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve.
“Dhe tek pjesa qytetare, ankesat më të shpeshta që nga takimi i parë në Lezhë, Gjirokastër, Elbasan e Vlorë, qytetarët qoftë të majtë e të djathtë, nuk janë të kënaqur me shërbime, me përfaqësimin, ngrenë ankesa nga më të ndryshme, duan shërbime, duan bashki më të forta, më pranë tyre. Shërbimet janë larguar, zyrat na janë larguar, me kryetarin nuk takojmë, këshilltari nuk na pyet, pushteti na është larguar. Pra nëse do t’i linim të lirë krejt qytetarët, nuk janë të gëzuar, ata do ta vlerësonin negativisht”, tha ai.
Dhe në fund sugjeroi që politika t’i qëndronte sa më larg vendimin për ndryshimet territoriale dhe të dëgjohej sa më shumë zëri i qytetarëve, që preken nga këto ndryshime.
“E thashë, vijnë shumë politikanë, deputetë, i konsumojnë hapësirën kohore qytetarëve”, kritikoi Haxhimihali.
Kurse Adelina Farici, nga shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë, vlerësoi si pozitive takimet e zhvilluara duke u shprehur se për herë të parë dy bashkëkryetarë që përfaqësojnë dy forca të mëdha politike në vend, shkojnë në dëgjesë të përbashkët.
“Ajo që ne po kërkojmë , një rishikim i një reforme që ishte e njëanshme sepse nuk kishte pjesëmarrjen e gjithë-përfshirjen politike. Jemi në një moment që është herë e parë që shkojnë dy bashkëkryetarë që përfaqësojnë dy forca të mëdha politike në dëgjesë të përbashkët dhe mendoj që përpara opinionit publik nuk ka diferenca mes bashkëkryetarëve. Për herë të parë kemi përfaqësim të barabartë që po dëgjohen qytetarët. Ky është një sinjal pozitiv. Edhe unë e kam vënë re që deformohet qëllimi i dëgjesave, por është e pamundur të shmangësh ndikimin politik tek qytetarët. Është një dëgjesë e hapur dhe do ketë po ashtu gjithë-përfshirje”, tha ajo.
Më tej gjatë intervistës për “News24”u shpreh se problematikën më shumë e sheh tek pjesë administrative.