TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ngjarja e 2 Dhjetorit në Durrës ka tronditur të gjithë opinionin publik, teksa shumë dinamikë dhe fakte kanë ndryshuar që nga nisja e hetimeve për gjetjen e trupit të Branko Shkozës tre ditë pas humbjes, në kanalin e ujërave të zeza në Spitallë dhe i pajetë.
Për krimin është arrestuar shoku i tij i ngushtë, Majlind Habibi, i cili fillimisht sipas organeve ligjzbatuese, e ka pranuar autorësinë duke thënë se vetëm e kishte shtyrë nga ura teksa ishin konfliktuar në gjendje të dehur, pasi i kishte kërkuar të mos i ngacmonte gruan.
Më 5 Dhjetor u gjet trupi dhe më 10 Dhjetor Policia bëri zyrtar arrestimin e Habibit. Por ditën e sotme (13 Dhjetor) në Gjykatën e Durrësit, ku u dha masa e sigurisë, i dyshuari e mohoi autorësinë, teksa tani ka dy deklarata të firmosura prej tij; një ku pranon krimin dhe tjetrën ku e mohon.
Sipas Habibit, ai ka qenë në shtëpi në momentin kur ka ndodhur ngjarja dhe jo me Brankon. Pranon se e kishte shok të ngushtë, por jo se atë ditë është zënë me të apo ta ketë vrarë. Deklaratën e tij e ka mbështetur edhe bashkëshortja në emisionin “Pa Gjurmë” të ditës së sotme, në rrëfim ekskluziv në Report TV.
Ajo hodhi akuza ndaj Policisë që shpërndau lajmin në media dhe kërkoi korrigjimin e kësaj situate, pasi u shpreh se “Majlindi nuk e ka pranuar autorësinë, por e detyruan që të thoshte se e ka bërë ai”.
Bashkshortja rrëfeu se ditën e ngjarjes ai ka qenë në banesë, pasi kohët e fundit bënte itinerarin punë-shtëpi, por pohoi miqësinë e të shoqit me viktimën. Ajo mohoi të ishte shkak sherri ngacmimi.
“Nuk është e vërtetë, nuk më ka ngacmuar asnjëherë Branko, edhe me Majlindin e kam sqaruar. Unë as nuk i flisja, janë sajesa. Policia siç doli për rastin menjëherë, të na siguronte edhe neve urdhër-mbrojtjeje. Kam ikur nga banesa bashkë me familjen nga frika e hakmarrjes”, tha ajo mes të tjera në intervistë me gazetaren Odeta Dume.
Por pohon se nëse ka prova se Majlindi e ka bërë atë krim, atëherë duhet ta vuajë dënimin, por ai i ishte betuar se nuk ishte autori i ngjarjes.
Intervista me bshkëshorten e Majlind Habibit:
Odeta Dume: E***, unë dua të të pyes për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur, ku bashkëshorti juaj dyshohet… është i akuzuar tashmë për vrasjen e Branko Shkozës.
E.B: Po!
Odeta Dume: Ngjarja ka ndodhur më 2 Dhjetor, bashkëshorti kur ka ardhur në shtëpi pas ngjarjes, ju ka treguar diçka?
E.B: Tani pas ngjarjes bashkëshorti… unë në datën 2 kam mesazhe në telefon që ka qenë në shtëpi në orën 6 të mbrëmjes, kështu që nuk mbaj mend të them të drejtën që bashkëshorti të ketë dalë atë natë. E di që ka ardhur direkt nga puna për në shtëpi, nuk mbaj mend të ketë dalë, as nuk më ka thënë gjë që isha në kafe ose përshembull… përsa i përket datës 2 nuk di. Mesa di unë thjeshtë rutina e këtyre ditëve të fundit ka qenë shtëpi dhe në punë.
Odeta Dume: E dashur E***, në momentin që burri juaj është arrestuar nga policia ai ka deklaruar, e ka pranuar krimin fillimisht dhe ka thënë se viktima Branko ju ka ngacmuar?
E.B: Jo, mund të them pak a shumë që këtë e ka nxjerrë policia, jo unë dhe bashkëshorti. Unë në deklaratën time në polici kam thënë që: “Me shtetasin nuk kam pasur fare asnjë lloj raporti, as në rrugë nuk i flisja, as ai nuk më fliste”, për këtë do të doja që media t’i korrigjojë ato që ka thënë, sepse ka folur sipas oreksit, bashkë me shumë gjëra të policisë që nuk jam dakord. Sa i përket që e ka thënë dhe bashkëshorti këtë gjë… në një minibus policie kemi hipur ditën kur jemi shoqëruar në rajon, bashkëshorti dhe unë, që na morën për deklaratë dhe në minibus e kemi pyetur njëri-tjetrin nëqoftëse ai ka pasur ndonjë pjesë ngacmimi nga Branko, rahmet tani edhe më ka thënë jo. Madje policia i kishte thënë që: “Ka thënë bashkëshortja jote që e ka ngacmuar Branko”, ndërkohë që unë shumë mirë i thashë policisë që: “S’ka ndodhur diçka e tillë. Nuk ka pasur fare një gjë të tillë.”
Odeta Dume: Unë bazohem nga deklarata e policisë e cila …
E.B: Këtë dua të them, që me pak fjalë e ka thënë vetë policia, jo se e kam thënë unë dhe Majlindi që kemi pasur ngacmim nga ai, sepse Majlindi më tha: “Të ka ngacmuar Branko?” Unë i thashë: “Jo. Po t’i i thashë unë, i ke thënë gjë policisë, të ka thënë gjë Branko?” – “Jo” tha. Domethënë atij i kishte thënë policia kështu dhe mua më tha policia kështu. Jo se e kemi thënë ne.
Odeta Dume: E qartë, por babai i viktimës ka thënë që: “Brako ka qenë shumë mik me Majlindin, me bashkëshortin tuaj”.
E.B: Po, e vërtetë, nuk e mohoj, kanë qenë vërtetë shokë.
Odeta Dume: Hanin pinin bashkë, rrinin në shtëpinë e njëri-tjetrit.
E.B: Tani, domethënë vite më përpara ndoshta po, ama për sa kohë kam qenë unë martuar jashtë shtëpie kanë dalë, madje në deklaratë… i qëndroj asaj që them. Pastaj gënjeshtrat që thonë media dhe policia t’i mbajnë për vete. Madje i kam deklaruar edhe në polici atë natë që Branko… nuk e di një behar i këtij viti… i viteve më para, nuk e mbaj mend mirë, e kam thënë që ka pas ardhur në shtëpinë tonë, por thjesht që të ndihmojë burrin që ka pastruar bahçen e shtëpisë, por jo që ka ardhur Branko ka ngrënë në shtëpinë time, nuk ka ndodhur kurrë diçka e tillë. Këto janë krejt pretendimet e policisë.
Odeta Dume: Bashkëshorti juaj sot përpara gjykatës e ka mohuar krimin duke thënë se…
E.B: Po, sepse nuk e ka bërë dhe mua në autobusin e policisë më tha: “Nuk e kam bërë”, por policia dhe deklaruesi që unë nuk e di kush është, është akoma anonim. Nuk e ka nxjerrë akoma surratin e vet, që ta dimë… Ata më tha Majlindi që i kishin ushtruar shumë presion, sepse Majlindi gjatë gjithë kohës kishte thënë: “Jo”, ama në fund fare ishin mbledhur të gjithë dhe nga frika dhe nga trysnia, duke i thënë “Pranoje ti, se unë do të të ul e do të të fal dënimin”, ai kishte pranuar. Nuk kishte pranuar që të thoshte: ”Po”, fjalët që Majlindi kishte thënë dhe më tha mua në autobusin e policisë… nuk e di nëse policia e ka regjistruar diçka të tillë, ishte kështu… më tha se “Unë nuk i thashë policisë e kam bërë, i thashë nuk e kam bërë, por meqënëse ju po thoni që e kam bërë po e pranoj”, këto kanë qenë fjalët. Biles në atë moment më mori mami im, se kishte ardhur aty nga gjithë kjo ngjarje, se është ngjarje jo kollaj…
Odeta Dume: Po!
E.B: Dhe unë i kam thënë dhe vëllait të vet që e pranova që ai ishte kështu rram-bam, jo që e ka bërë diçka të tillë. Biles kur unë i thashë që e kishin kërcënuar atë… kemi fakte, por ku janë ato fakte i thashë unë Majlindit që: ”i pe thashë ti?” “Jo, s’më treguan asnjë gjë”, tha. “Por atëherë pse e pranon diçka kur s’ka fakte, si … nga erdhën gjithë këto?”
Odeta Dume: E***, ju jeni larguar bashkë me kunatin, gjithë familja Habibi është larguar tashmë.
E.B: Po, sepse djemtë duan hakmarrje dhe nëse policia qenka kaq e zellshme me punën e saj, pse nuk na jep dhe ne një urdhër-mbrojtjeje, që të mbrojmë fëmijët tanë, kokat tona le të themi.
Odeta Dume: Unë uroj që të zbardhet gjithë kjo ngjarje.
E.B: Dhe unë uroj shumë, nëqoftë se bashkëshorti e ka bërë okej, le të vuajë dënimin.