AKTUALITET, 27 Janar 2024, 17:13

Nesër votohet qeveria me kryeministrin e parë shqiptar në RMV/ Rama: Moment historik

Nesër votohet qeveria me kryeministrin e parë shqiptar në RMV/

Teksa nesër Talat Xhaferri pritet të marrë detyrën si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, vjen një reagim nga Edi Rama. Detyrën do e marrë  pasi të votohet në Kuvend mbi përbërjen e qeverisë së përkohshme. Ndërkohë kreu i qeverisë Edi Rama në një pos tim që ka  bërë në rrjetet sociale është shprehur se kreu i BDI-së, Ali Ahmetin, ka bërë shumë për të drejtat e shqiptarëve në RMV.

Ai ka ndarë një foto të Xhaferrit me Ahmetin, të cilës i ka bashkëngjitur diçiturën “Djemtë e duan pushtetin për t’u njohur nga të tjerët, kurse burrat për të bërë për të tjerët”.

“Ali Ahmetit mund t’i bëhen kritika plot brenda vendit, sepse është e drejta dhe detyra e kujtdo që është në opozitë të kërkojë më shumë nga kushdo që është në pushtet… Por çka ka bërë Ali Ahmeti me pushtetin për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetin fqinj, e për afirmimin e tyre si qytetarë të barabartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut është një leksion historik për të gjithë ne dhe brezat që vijnë! E duke parë foton bashkëngjitur të një momenti historik në rrugën e bashkësisë shqiptare, m’u kujtua fjala e mençur e një politikani të madh, “Djemtë e duan pushtetin për t’u njohur nga të tjerët, kurse burrat për të bërë për të tjerët”; kjo do të ishte diçiturë perfekte për këtë foto”, shkruan Rama në X.

Me dorëheqjen nga posti dy ditë më parë, Dimitar Kovaçevski i hapi rrugën krijimit të qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, detyra e së cilës do të jetë përgatitja për zgjedhjet parlamentare që mbahen më 8 maj të këtij viti. Detyra i kalon Talat Xhaferit, i cili bëhet kështu kryeministri i i parë shqiptar i vendit fqinj. Xhaferi megjithatë, i cili pritet të votohet në krye të ekzekutivit maqedonas jo më vonë se 28 janari, nuk do të ketë kompetenca të plota.

Naser Ziberi, kandidat për kryeministër nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, i tha REL-së se më mirë do të kishte qenë që BDI-ja të pajtohej me një propozim të VMRO DPMNE-së për anulimin e qeverisë teknike, në 100 ditët e fundit të punës së ekzekutivit, pasi në këtë mënyrë, sipas tij, do të hapej rruga për marrjen e një kryeministri politik, apo me kompetenca të plota.