AKTUALITET, 28 Qershor 2026, 11:05

Operacioni/ Kokainë me vlerë mbi 100 mijë euro në doza në makinë, 33-vjeçari shqiptar arrestohet nga policia në Padova

Operacioni/ Kokainë me vlerë mbi 100 mijë euro në doza

Një kontroll rutinë i policisë italiane në një autostradë në Padova çoi në arrestimin e një 33-vjeçari shqiptar, pasi në automjetin e tij u gjet më shumë se 1 kilogram kokainë. 

Sipas autoriteteve italiane, makina u ndal pranë zonës së shërbimit Limenella, pasi po lëvizte me shpejtësi të lartë. Gjatë kontrollit, drejtuesi i mjetit u shfaq i shqetësuar dhe nuk arriti të jepte shpjegime të qarta për destinacionin e udhëtimit.

Sjellja e tij ngriti dyshime te efektivët, të cilët vendosën ta shoqëronin në Komisariatin e Padovës për një kontroll më të detajuar të automjetit.

Aty u zbulua një mekanizëm elektronik që hapte një hapësirë të fshehtë, ku ishte vendosur një pako me mbi 1 kilogram kokainë shumë të pastër. Hetuesit vlerësojnë se droga kapte një vlerë mbi 30 mijë euro në tregun me shumicë, ndërsa e shitur në doza mund të sillte mbi 100 mijë euro fitim.

Gjatë verifikimeve, policët konstatuan gjithashtu se 33-vjeçari kishte krahun dhe dorën e fashuar. Ai u tha se ishte plagosur gjatë një përleshjeje me persona të panjohur, pa dhënë shpjegime të tjera.

Shqiptari u arrestua me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin dhe u dërgua në burgun e Padovës në pritje të masës së sigurisë. Ndërkohë, autoritetet italiane kanë nisur procedurat për revokimin e lejes së tij të qëndrimit.