AKTUALITET, 24 Nëntor 2024, 14:18

"Mishërim i politikës djallëzore të diskriminimit!"/ Ramës nuk i del e keqja me Suella Braverman: Ku është tani?

"Mishërim i politikës djallëzore të

Kryeministri Rama ndodhet në Londër, ku po mban një takim me emigrantët shqiptarë.

Rama ka përmendur sërish deklaratën e ish ministres së Brendshme, Suella Braverman, që i cilësoi shqiptarët si pushtues. 

Kryeministri iu drejtuar emigrantëve, duke u thënë se Braverman përfaqëson "politikën djallëzore të diskriminimit etnik" dhe se tashmë ajo është larguar nga pushteti, ndërsa ata, pra emigrantët, vijojnë të jetojnë dhe kontribuojnë në Britaninë e Madhe. 

"E mbani mend një ish ministre të brendshme të këtij vendi, një tip që u bë mishërimi i politikës djallëzore të diskriminimit etnik, duke na treguar ne shqiptarët si rrezik. Ajo tha në Parlament se çfarë po ndodhte me prurjen e shqiptarëve, ishte një pushtim. Na bëri pushtues! 

Zonja na quajti pushtues, a thua se kishim ardhur të kërkonim kokën dhe kurorën e Mbretëreshës dhe jo për të punuar me kokën ulur euke ndihmuar edhe ekonominë britanike, e cila vuan gjithnjë e më shumë për krah pune. 

U ngritën edhe të tjera përkrah zonjës, duke na treguar si vikingë dhe jo taksistë, shoferë, pastrues, burra të gatshëm për çdo punë. Ambasadori ynë në Londër, është njëri prej tyre, i ardhur që i vogël me gomone, i rritur i bërë burrë në shkollat më të mira për t'u integruar denjësisht. Edhe shoferi nga Malësia e Madhe që bëri shoferin për mua këtë herë, ka ardhur me kamion. Sot ka një kompani private sigurie me 120 punonjës, shqiptarë, anglezë, polakë, portugezë, etj. Ai nuk është pushtues, por kontributor në këtë vend dhe për këtë vend.

Kur isha në Londër disa kohë më parë, për të folur, ndodhi diçka që për mua ishte e këndshme, por për truprojat angleze ishte e çuditshme. Hyj në hotel dhe ulem për kafe. Vjen kamarieri dhe flet shqip. Truproja e sheh dhe unë i them, "Don’t worry, I'm home" (Pa merak jam në shtëpi). 

Dhe ka ndodhur tamam kështu. Dal të nesërmen në mëngjes dhe dëgjoj britma Edi Rama, Edi Rama. Shoh atje lart tre punëtorë në skela. Ata në shqip, kthehu për një kafe o burrë. I kthehem truprojës dhe i them "Don’t worry I'm home". 

Kulmi ishte në Parlamentin anglez, ku roja më tha, ku je bre burrë. Aty i them truprojës, a je edhe ti shqiptar?

Kjo janë kohët në të cilën jeton bota. Ajo teta që ju tregonte me gisht iku nga pushteti, bashkë me shpurën e saj, kurse ju ja ku jeni, shqiptarët e europës në Londër", tha ndër të tjera Rama.