AKTUALITET, 24 Nëntor 2024, 13:57

"Erdhën të verbërit, me akte anti-shqiptare..."/ Nis me incidente takimi i Ramës në Londër, protestues edhe në sallë

"Erdhën të verbërit, me akte anti-shqiptare..."/ Nis me

Kryeministri Rama po mban fjalimin në takimin me emigrantët shqiptarë në Londër. 

Rama e nisi fjalimin duke adresuar disa protestues që e pritën me pankarta dhe thirrje jashtë sallës. 

Kryeministri i quajti "të verbër" dhe të nxitur nga Partia Demokratike, ndërkohë që aktet e tyre i cilësoi si "anti-shqiptare"

Fjala e Ramës u ndërpre në fillim nga thirrjet e disa protestuesve që ishin futur edhe brenda sallës. 

“Ju kërkoj ndjesë për një grusht të verbërish te dera, që të nxitur nga të verbërit në Tiranë, kishin marrë me vete librin e shtëpisë tonë edhe e bërtisnin aty përballë.

Megjithatë me keqardhje, por pa dyshim që edhe ata janë pjesë e familjes sonë të madhe, kam besim se kjo ndasi e vjetër është drejt fundit të saj.

Para disa ditësh këtu erdhi për takim partia tjetër, ajo parti që nxit të tilla akte anti shqiptare në tokë të huaj dhe kishin çuar një ftesë për ambasadorin tonë. Ambasadori ktheu përgjigje, se ishte i gatshëm të shkonte dhe ata nuk u bënë më të gjallë. 

***

E dua votën tuaj nga ky gadishull për t’ju bërë edhe më krenarë në sytë e botës. Për ta bërë Shqipërinë më të mirë, për fëmijët e këtij vendi përfshirë edhe fëmijët e atyre që ishin aty, të verbuar dhe të keqkuptuar.

Sëbashku me ata pak që ishin futur këtu si diversantë, që nuk janë fajtorë, sepse përgjegjësinë për fajin e tyre, e kanë ata të cilëve ju me votë duhet ti tregoni se duhet të largohen njëherë e mirë nga oborri i mexhelisit tonë, ku ka vend për të qenë të ndarë në pikëpamje, në ide, në shumë qasje për se si duhet ta bëjmë më të mirë Shqipërinë, por nuk mund të ketë vend për të qenë të ndarë në këtë formë ku ndasia u shfaq sot me tre mijë vetë këtu dhe 30 vetë aty jashtë, të cilët nuk ndalonin së shari nën shembullin e atyre që e kanë bërë Parlamentin e Shqipërisë sokakun e të marrëve, që shajnë dhe predikojnë shkatërrim.

Sot ju nuk jeni më ata që ishit kur erdhët këtu me emër tjetër, por as Shqipëria nuk është ajo që ishte 11 vite më parë, kur emri i saj përgojohej dhe përçmohej", tha ndër të tjera Rama. 

VIDEO - Protesta jashtë sallës