TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ndryshon masa e sigurisë për Vjola Sterjon,ish drejtoreshë e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës, e cila u arrestua për mashtrim, në 27 Dhjetor të vitit 2022.
Raportohet se Sterjo nëpërmjet avokatit të saj, ka kërkuar zëvendësim të masës së sigurimit nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Kërkesa është pranuar nga Gjykata e shkallës së parë të Korçës, e cila në datën 8 Mars ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” , me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Seanca është mbajtur pa prezencën e Sterjos, ndërsa mësohet se gjykata ka zbutur masën e sigurisë ndaj saj, me arsyetimin e nevojës për kujdestarinë e dy fëmijëve të saj të mitur, 7 dhe 10 vjeç.
Vjola Sterjo u arrestua në Dhjetor për veprën penale të “mashtrim me pasoja të rënda”, pas denoncimit dhe hetimit disa mujor të prokurorisë, e cila dokumentoi se Sterjo kishte mashtruar disa biznesmenë në Korçë dhe Pogradec, duke iu marrë shuma të mëdha parash që fillonin nga 50 mijë Euro deri në 160 mijë euro, duke iu premtuar që do t’u siguronte subvencione nga AZHBR.
Sterjo ka mbajtur pozicione të larta drejtuese në administratën publike, si tek e-Albania dhe AKSHi.
Një denoncim në drejtim të Sterjos është bërë pak ditë më parë, në datë 12 Dhjetor të këtij viti nga një person i identifikuar si Thanas Sulo. Ai ka deklaruar para Oficerit të Policisë Gjyqësore se në mars të vitit 2020 përmes të njohurit të tij Gentit i cili ka një lokal me pikën e tij të karburantit, është njohur me Vjola Sterjon.
Ai thotë se ajo i ka premtuar Gentit se ai do të përfitonte një grant me vlerë 3.5 mln euro për të bërë një hotel në Voskopojë. Në këmbim të ndërhyrjes së saj për shpalljen e fituesit, Genti i ka treguar Sulos se i kishte dhënë Sterjos 160 mijë dollarë. Sulo deklaron se në tokën e karburantit donte të bënte një hotel dhe i ka kërkuar Gentit që t’i prezantonte Vjolën.
Vjola i ka kërkuar shuma lekësh duke i premtuar që ajo do të ndërhynte për ta bërë përfitues të grantit nga ABZHR. Sulo shprehet se i ka dhënë asaj 57 mijë euro dhe 1 mln lekë të reja, gjatë takimeve që ata kanë pasur në Korçë dhe Tiranë.
Pasi kanë kaluar afatet e diskutuara mes tyre, Sulo nuk është bërë përfitues i grantit dhe i ka kërkuar Sterjos që t’i kthejë shumën e parave , pasi dyshonte se ajo e kishte mashtruar, Këtë dyshim ai e ka përforcuar edhe nga fakti që edhe miku i tij Genti nuk e ka përfituar grantin që i është premtuar nga Sterjo.
Pas kallëzimit në prokurori, hetuesit kanë marrë në pyetje edhe bashkëshorten e Sulos, e cila ka deklaruar se ata kanë në pronësi një pikë shitje në pronën të cilën e kanë lëshuar me qira. Ajo ka pohuar të njëjtat deklarime si i shoqi në lidhje me premtimet që Sterjo u ka bërë atyre për përfitimin e grantit.
Një tjetër person që është marrë në pyetje nga Prokuroria e Korçës në lidhje me akuzat ndaj Sterjos është edhe Olgert Kafazi i cili ka deklaruar se para 5 vitesh ka blerë një sipërfaqe toke në Voskopojë bashkë me dy persona të tjerë, me qëllimin për të ndërtuar një resort turistik.
Ai thotë se është njohur me Vjolën përmes të afërmit të saj dhe ajo i ka premtuar një grant për ndërtimin e resortit, që parashikohej të shkonte deri në 2 mln euro. Kafazi është shprehur se i ka dhënë Sterjos një shumë parash prej 90 mijë eurosh.
Në fillim të vitit 2022 ai ka konstatuar se Sterjo nuk kishte bërë asnjë aplikim që ai të përfitonte grantin dhe kjo e ka bërë të dyshonte se ajo e kishte mashtruar. Pasi ka lënë një takim me Sterjon, në prezencë të dy vëllezërve të saj ajo i ka kthyer 20 mijë euro. Ndërkohë ata kanë lidhur një kontratë noteriale ku Sterjo ka deklaruar se i njeh detyrimin e borxhit të pashlyer Kafazit, dhe në rast se nuk ia kthente brenda 6 muajve do i linte si garanci banesën e vjehrrit të saj.