AKTUALITET, 20 Mars 2025, 17:56

“Paska plasur peshku…”/ Veliaj “tërhiqet” nga shkarkimi i Ristanit: Kam shumë mall për Edi Ramën

“Paska plasur peshku…”/ Veliaj “tërhiqet”

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar nga burgu, duke u tërhequr nga delegimi i detyrave të kryetarit të Bashkisë, Sara Goxhajt, duke lënë kështu në fuqi si të deleguar Anuela Ristanin. 

Veliaj e firmosi delegimin e Goxhajt, por pas një përplasje në distancë me Edi Ramën, është tërhequr, duke thënë se ka patur një keqkuptim. Ai shton se e ka marrë shumë malli për Ramën dhe mezi pret ta takojë që të flasin për punët. Me gjasë ky takim do të vonohet, për shkak të kushteve ku ndodhet kryebashkiaku, por dihet që shpresa vdes e fundit. 

Reagimi i Veliajt: 

U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh.

E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.

E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.

E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi.