AKTUALITET, 30 Qershor 2026, 13:19

Letra e Metës, për dorëheqjen e Cakranit: Çështja ime është e ngarkuar, kam vendosur të kem një avokat që të jetë tërë kohën në dispozicionin tim

Letra e Metës, për dorëheqjen e Cakranit: Çështja ime

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka publikuar letrën e ish-presidentit Ilir Meta ku i ka njoftuar avokatit Kujtim Cakrani vendimin për të mos u përfaqësuar më prej tij.

Meta thotë se ngarkesa e çështjes së tij në themel e për GJEDNJ e ka bërë të vendosë për të pasur një avokat që merret ekskluzivisht vetëm me të, pa angazhime të tjera.

“Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe me shpresën e mirëkuptimit tuaj, përshkak jo vetëm të angazhimeve tuaja të shumta dhe të shtuara, ndërkohë që ngarkesa e çështjes sime, jo vetëm në themel, por edhe për GJEDNJ, kërkon angazhim të përditësuar e të përhershëm, kam vendosur që të kem një avokat që të merret vetëm me çështjen time dhe që të jetë në dispozicionin tim tërë kohën”, shkruan kryetari i PL.

Në letër, ai i kërkon Cakranit që materialet e deritanishme t’ia dorëzojë Blushit, ndërsa për shpenzimet financiare do të kujdeset motra e tij. Gjithashtu i shkruan se do të njoftojë edhe Gjykatën e Posaçme për ndryshimin e mbrojtjes.

“Me konsideratë të veçantë”, i shkruan Meta Cakranit në fund të letrës.