AKTUALITET, 16 Prill 2023, 09:56

Korçë/ Dyshohet se po transportonin 5 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 4 të rinj nga Kosova

Korçë/ Dyshohet se po transportonin 5 emigrantë të

Katër të rinj nga Kosova janë kapur nga policia në Korçë, pasi dyshohet se kanë tentuar të transportojnë 5 emigrantë të paligjshëm, kundrejt pagesës.

Policia sqaron se në kuadër të operacionit të koduar “Midnight 8”, u kapën në zonën e Maliqit, të rinjtë nga mosha 22 deri në 27 vjeç.

Ata po lëviznin me tre makina luksoze, me të cilat po transportonin edhe klandestinët.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provave të siguruara, ka rezultuar se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do të transportonin kundrejt pagesës, për të kaluar kufirin drejt Kosovës dhe më pas drejt vendeve të BE-së, 5 emigrantë të paligjshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.

Njoftimi i policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight 8”. U kapën duke transportuar kundrejt fitimit, 5 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 4 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 8”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-A. P., 27 vjeç; E. S., 22 vjeçe; U. K., 27 vjeç; A. S., 26 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për disa shtetas që do të transportonin kundrejt pagesës, emigrantë të paligjshëm, për të kaluar ilegalisht kufirin, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Maliq-Gramsh”, pranë vendit të quajtur “Tyrbja e Gocës”, Maliq, bënë të mundur lokalizimin e tre automjeteve, tip “Volksëagen”, “Audi Q7” dhe “Audi A8”, me të cilët po qarkullonin shtetasit e lartpërmendur.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provave të siguruara, ka rezultuar se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do të transportonin kundrejt pagesës, për të kaluar kufirin drejt Kosovës dhe më pas drejt vendeve të BE-së, 5 emigrantë të paligjshëm.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjetet, 4 aparate celulare, shuma monetare të valutave të ndryshme.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në të.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.