AKTUALITET, 27 Dhjetor 2024, 21:25

Kodi Penal, çfarë parashikon/ Katër veprat penale të Veliajt, kujt i premtoi favore dhe i dha para kryetari i Bashkisë së Tiranës?!

Kodi Penal, çfarë parashikon/ Katër veprat penale të

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar ditën e sotme për Erion Veliajn. Kryetari i Bashkisë së Tiranës u mor në pyetje ditën e djeshme për afro 5 orë nga organi i akuzës.

Pikërisht për këtë situatë, SPAK ka dhënë informacion duke treguar se për qytetarin e parë të Tiranës po kryhen hetime paraprake pasi dyshohet se ka konsumuar katër vepra penale që janë:

-Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë;

- Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë;

-Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;

-Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të --personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim.

Ajo që bie në sy është pikërisht korrupsioni aktiv që është parashikuar në Kodin Penal. Neni 245 citon se premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një deri në pesë vjet.

Megjithatë në parim një zyrtar zakonisht lidhet me "korrupsionin pasiv," sepse ai pranon ryshfet ose përfitime në këmbim të kryerjes së një veprimi ose favori. Por, edhe një zyrtar mund të përfshihet në korrupsion aktiv, në rrethana ku ai ofron ose jep ryshfet për të arritur një përfitim personal apo profesional.

Vitet e fundit dhe precedentët kanë treguar se korrupsioni në nivelin e një zyrtari të lartë si Erion Veliaj ka qenë pasiv. Natyrshëm lind pyetja: Kë ka korruptuar kryebashkiaku i Tiranës?

Janë disa raste që i zgjedhuri i popullit në nivel vendor apo kombëtar mund të ofrojë ryshfet ndaj një autoriteti më të lartë për të marrë një post më të rëndësishëm ose për të siguruar një promovim; për të blerë ndikim; për të siguruar bashkëpunim të paligjshëm ose për të shmangur përgjegjësinë.

Zakonisht, analogjia ka treguar se një zyrtar që është në hetim mund të ofrojë ryshfet për një gjyqtar, prokuror apo hetuesi për të ndikuar në hetim ose për të mbyllur çështjen.

Siç e cekëm më lart neni 245 parashikon se premtimi, propozimi, dhënia drejtpërdrejtë ose tërthorazi i çfarëdo përfitimi të parregullt, i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhërve vendore, për të bërë ose jo një veprim që lidhet me detyrën e tij dënohet me burg.

Konkretisht SPAK nuk ka dhënë detaje të mëtejshme, por është mjaftuar duke treguar se ndaj Erion Veliajt po kryhen hetime paraprake teksa dyshohet për konsumimin e veprës penale “Korrupsioni Aktiv I funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga Neni 245 i Kodit Penal.

Pra, ndonëse "korrupsioni aktiv" është më pak i zakonshëm për zyrtarët, ai nuk përjashtohet. Ligjërisht, një zyrtar mund të përfshihet në të dyja format e korrupsionit, varësisht nga situata dhe veprimet e tij konkrete. Në fund, gjithçka lidhet me qëllimin dhe mënyrën se si ai ndërvepron me palët e tjera në një marrëdhënie korruptive.