AKTUALITET, 23 Nëntor 2021, 15:44

"I harroi 23 mijë votat tona që e bënë kryetar bashkie", Erisa Xhixho sulmon Bashën

 

"I harroi 23 mijë votat tona që e bënë kryetar

Nënkryetarja e LSI-së Erisa Xhixho ka folur në lidhje me sulmet e ndërsjellta që ka pasur mes dy partive më të mëdha të opozitës, PD dhe LSI. Xhixho u shpreh se gjatë gjithë bashkëpunimit me PD, LSI ka qenë shumë parimore, dhe ka ndihmuar vetë Bashën, që sot e mohon, për të fituar garën për Bashkinë e Tiranës.

“LSI ka qenë shumë parimore në qëndrimin e saj, nuk jemi përfshirë fare në debatin e brendshëm të PD-së. Ne kemi qënë shumë të drejtë në marrëveshjen me PD, duke qenë pro edhe vendimeve të tilla si djegia e mandateve.

Padyshim që unë e kuptoj se të heqësh vëmendjen nga problemet e brendshme dhe të sulmosh LSi, e kuptoj si një taktikë të brendshme tyë zotit Basha, kuptoj dhe mosmirënjohjen që ai ka, unë e di mirë se si 23 mijë votat e LSI sollën fitoren e zotit Basha në Bashkinë e Tiranës.

LSI ka detyrimin që të bëjë opozitë për njerëzit, persona si zoti Basha, që kanë probleme, u bë e qartë se ku janë interesat e zotit Basha, që nuk përputhen me atë që i duhet vendit. Debati publik duhet të jetë për çështje që shqetësojnë shqiptarët”, u shpreh Xhixho gjatë një interviste për Fax News.