AKTUALITET, 12 Shkurt 2024, 18:03

Frika nga fruthi/ Rriten kërkesat në Gjirokastër, prindërit vaksinojnë fëmijët

Frika nga fruthi/ Rriten kërkesat në Gjirokastër, prindërit

Në Gjirokastër ka ardhur në rritje interesimi për marrjen e vaksinës së fruthit nga fëmijët. Sipas përfaqësuesve të Shëndetit Publik deri tani nuk është regjistruar asnjë rast i fëmijëve të infektuar me fruth.

“Në Gjirokastër mund të themi me bindje të plotë që kemi një mbulesë të mirë vaksinale, duke u nisur nga statistikat themi që me dozë të parë kemi 99% të fëmijëve të vaksinuar, ndërsa me dozë të dytë që i bie 5-vjeç janë 94% me mbulesë vaksinale”, -tha Noris Doraci, specialist i Shëndetit Publik. Përgjatë këtyre ditëve bluzat e bardha dhe specialistët e Shëndetit Publik kanë zhvilluar takime sensibilizuese në institucionet arsimore dhe me prindërit për domosdoshmërinë e vaksinimit për parandalimin e infektimit të fëmijëve nga fruthi.

“Duke qenë se patëm disa raste në Tiranë, ne nisëm një sensibilizim për promocionin duke dalë edhe vetë nëpër shkolla, kopshte dhe gjithashtu dhe vaksinatoret e të gjitha qendrave shëndetësore të Gjirokastrës kemi bërë një punë sensibilizuese”, tha Noris Doraci, specialist i Shëndetit Publik. Me sensibilizimin e kryer është bërë e mundur vaksinimi i rreth 65% të fëmijëve që nuk kishin mare dozat e vaksinës së fruthit. Strukturat e Shëndetit Publik konfirmojnë se kanë kapacitetet e duhura për mbulimin e të gjithë fëmijëve me vaksinën e fruthit.

“Kemi parë reagimin e prindërve, duket dhe nga shifrat që ne kemi një përpjesëtim të dukshëm të kryerjes së vaksinës të fruthit si me dozë të parë dhe me dozë të dytë. Kemi dhe vaksina dhe me personel jemi në çdo qendër shëndetësore”, tha Noris Doraci, specialist i Shëndetit Publik. Në shkallë vendi Gjirokastra renditet ndër qarqet me mbulesën më të lartë vaksinale te fëmijët.