TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka patur një debat mes Andi Bushatit dhe Neritan Sejaminit, për skandalin që ka shpërthyer në spitalin Onkologjik, ku mjekët kishin ngritur skemë për zhvatjen e qytetarëve me kancer.
Andi Bushati thotë se problemi është sistemi i korruptuar dhe dënimi i disa individëve nuk e ndryshon situatën, ndërsa Neritan Sejamini thotë se përgjegjësia është individuale dhe këta mjekë, nëse provohet se kanë abuzuar, janë kriminelë dhe nuk mund të justifikohen.
Debati:
Andi Bushati: Thelbi, është një sistem i programuar të punojë kështu. Sot një ushtar që shkon në luftë, vërtet po dezertoi shkon para togës së pushkatimit, si mjeku që është betuar para Urdhrit të Hipokratit, por nëse gjeneralët shesin luftën, nuk mund t’i kërkosh ushtarit të bëhet Don Kishot dhe të vazhdojë me kallash përpara. Sejamini tha që të bësh relativizimin e këtyre mjekëve, është kriminale. Është një optikë e të parit të gjësë. Dakord, ne themi këto fakte janë të vërteta dhe ata të shkojnë para drejtësisë, të marrin dënimin e merituar. Jemi të gjithë dakord, por nëse dënohen këta si individë, a do të ndalohen riprodhime me dhjetëra dhe qindra të këtyre që janë në sistem? Drejtësia nuk i kap dot të gjithë. Opinioni publik, duhet të denoncojë mendësinë që i prodhon këta. Prandaj e vura theksin te kushtet që i prodhojnë ata që ne me lehtësi i quajmë monstra. Pa ç’rrënjosur kushtet, është e kotë që të denoncojmë një njeri që po merret prokurori dhe gjykatësi. Ai ka për ta prerë biletën e vet nëse i ka bërë ato krime, por kjo nuk do të na ndërpresë fenomenin, prandaj theksin e vë te fenomeni.
Edhe sikur të mos silleshin si hajdutë, ne kemi ndërtuar sistem mjekësor vrasës. Jemi në të gjithë parametrat të fundit në Evropë dhe të fundit në Ballkan. Kjo është vrasja më e madhe e shëndetësisë falas. Nuk është trimëri, që një njeri që e kanë kapur ta dënojmë edhe ne. Detyra jonë është të shohim dhe të thellohemi te sistemi që i pjellë këta monstra. Sistemi që e detyron ushtarin të dezertojë, pasi ka dalë tradhtar gjenerali.
Neritan Sejamini: Nuk mund të thuash që ata janë fajtorë, viktima dhe vuajtës. Një person të konsiderohet edhe fajtor edhe viktimë. Një person që me vendimin personal, nuk i jep dozën një personi që po vdes, ai nuk është vuajtës në asnjë rrethanë. Përkundrazi, jeton shumë mirë, shijon, është vetëm kriminel. Diskutimi i politikave publike është tjetër gjë, por për këtë rast, kam një pyetje. Nëse drejtorët e Bashkisë së Tiranës, do të dënohen nga 20 vite dhe do t’ju sekuestrohen të gjithë pasuritë, si mendon ti, drejtori që do t’i zëvendësojë, do ta ketë kaq kollaj të hedhë firmën për tenderat?
Andi Bushati: Padyshim do të bëjë të njëjtën gjë, në një sistem që është krijuar për të vjedhur.
Neritan Sejamini: Po them, Hasani u dënua 20 vjet dhe iu sekuestruan pasuritë. Zëvendësi i Hasanit vete në zyrë nesër, do të firmoës njëlloj si Hasani?
Andi Bushati: Sot ke garë për të filluar punë në Bashkinë e Tiranës, janë prodhuar hajdutët e rinj.
Neritan Sejamini: Me këtë logjikë, duhet të bëjmë revolucione për përmbysjen e sistemeve, rende të reja shoqërore, ta harrojmë drejtësine penale, Prokurorinë, dënimin, sepse duhet vetëm revolucion…
Andi Bushati: Bëre një pyetje logjike, a është kriminel një njeri që refuzon të ta japë dozën ose të jep gjysëm doze. Po, ky njeri është kriminel. Po një sistem, që ka 100 të sëmurë me kancer dhe që në fillim të vitit e ka planifikuar që vetëm 50-tëve do t’ju japë doza, a është kriminal? Në këto kushte, a nxitet korrupsioni dhe hajdutëria? Kush është më kriminal, shteti që projekton vdekje, që kur ndan dozat apo mjeku me pacientin?
Neritan Sejamini: Mund ta them edhe më shumë se kaq.
Ylli Rakipi: Në këtë rast mjeku është kriminel. Kjo nuk e ndryshon që është qeverisje hajdutësh. Në një vend perëndimor, binte qeveria. Ata janë kriminelë, ata mjekë janë kriminelë!
Andi Bushati: Kjo ministre që është, ka gjetur gjysëm miliardi euro në vit koncesione të firmosura dhe të futura në punë. Buxheti ka ikur për ushqyer Renzin, Ramën dhe për të bërë qoka politike. Ne tani kapemi me peshkun e vogël. Kjo më shqetëson mua. Po u kapëm me peshkun e vogël, do të kemi pafundësisht raste.
Neritan Sejamini: Në liri, përgjegjësia është individuale. Po qe puna për sistemin, flasim sa të duash. 140 milionë euro janë dhënë për inceneratorin që nuk u ndërtua kurrë, me të cilat mund të bliheshin edhe skanera edhe ilaçe kanceri pafund. Pra, absolutisht kjo është kriminale nga pikëpamja e qeverisjes se si i ka planifikuar dhe si i bën. Sistemi shëndetësor është sajuar në mënyrë të qëllimshme që të çojë biznes te privati.
Andi Bushati: Është sistem i projektuar për të vrarë pacientin.
Ylli Rakipi: Edhe për të bërë kriminel mjekun.
Neritan Sejamini: Rast konkret, para pak javësh shoqërova një të afërmin tim për të bërë analizat. Vajti te mjeku dhe mjeku i dha analizat. Megjithëse ishte qendër spitalore, i tha do të shkosh ti bësh te spitali përballë, i dha edhe emrin e privatit. Ne kemi një koncesion që bën analiza falas, një laborator, etj. Kjo është skemë korruptive, sepse ky mjek merr para nga privati. Ky sistem është i korruptuar dhe është e padiskutueshme, por po flasim për politikat publike. Në këtë rast që po themi, ke pesë mjekë, pedagogë që u besohet jeta, të cilët bëjnë organizatë kriminale për të bërë para, duke qenë të vetëdijshëm që po vdesin njerëz. Kjo është përtej sistemit. Ka të bëjë me njerëz që kanë vendosur të pasurohen duke kryer krime. Njësoj si ai që vret për të vjedhur apo bën drogë për të vjedhur.