AKTUALITET, 25 Qershor 2025, 21:35

Doli më i votuari në 11 maj, Gonxhja: Nuk ka asnjë provë që unë si ministër të kem ushtruar presion ndaj administratës për votën

Doli më i votuari në 11 maj, Gonxhja: Nuk ka asnjë provë

Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja ka folur në një intervistë për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Gonxhja ishte kandidati për deputet që siguroi më shumë vota në rang vendi. Në intervistën për A2 CNN, ai iu përgjigj aludimeve brenda partisë së tij për përdorimin e pushtetit të ministrit, përmes presionit ndaj administratës së gjerë që dikasteri i tij ka në administrim.

“Nuk mund të vërtetojë dot askush, kurrë, një provë të vetme që unë, apo kandidatë të tjerë ministra, të kemi ndikuar apo ushtruar trysni për të ndikuar votën e administratës apo të atyre që punojnë për ne”, tha Gonxhja, i cili shtoi se kush ka pretendime të tilla, mund t'i drejtohet organeve kompetente për tu qartësuar. 

Ministri ka folur edhe për fjalët e përhapura që ai mund të jetë personi që do të zërë vendin e Erion Veliajt si kryetar i bashkisë Tiranë. 

“Kur përballesh me një pritshmëri pozitive, apo kur opinioni publik mund të mendojë pozitivisht për një kandidaturë, kushdo qoftë ai, natyrisht do të ishte një moment pozitiv. Nuk ka asnjë lloj ambicie timen në këtë drejtim dhe nuk ka asgjë konkrete që të lidhet me personin tim. Unë mendoj që nuk jemi fare në këtë moment për zgjedhje në Bashkinë e Tiranës, ato kanë datën e tyre”, tha ai.