TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka qenë i ftuar në emisionin Të Paekspozuarit në MCN TV, ku foli për shumë çështje.
Ai u pyet nga Ylli Rakipi për mënyrën se si drejtohet PD dhe kush i lëvizj fijet aty, duke qenë se shpesh përmenden personazhe që nuk janë zyrtarisht në parti dhe Berishës i përmendin të birin, ndërsa Bashës i përmendnin dikur kunatin.
Biseda në studio
Ylli Rakipi: Ka njerëz që e përshkruajnë PD-në gati si një sekt, ku klani Berisha, i dukshëm dhe i padukshëm, dikton gjithçka dhe njërzit kryesorë që lëvizin fijet në PD janë fëmijët e tij, veçanërisht djali i tij. Është kjo e vërtetë? Ju jeni njeriu që duhet ta dini më mirë nga të gjithë këtë gjë? Thua edhe ti “Zeni, Zeni” ndonjëherë, por e hap pak dhe e mbyll.
Lulzim Basha: Nëse e keni fjalën për çfarë ndodh tani aty, e para punës, kemi divorc total me atë realitet. Ai është një furrik, në të cilin para se të futesh, duhet të dorëzosh personalitetin te dera. Absolutisht ai është një formacion që sot i shërben vetëm halleve dhe interesave të një njeriu dhe familjes së tij. Nëse e ke fjalën, në retrospektivë, gjatë kohës që kam qenë kryetar i partisë, influencat kane ekzistuar, por siç ju thashë duke u nisur nga 2014, jam përpjekur përmes garës të ndërtoj një korpus të ri elite në PD. Po të jap dy shembuj, se pse ka patur garë, ku janë ndarë në Shkodër, është zgjedhur kryetari i ri i PD dhe janë ndarë me dy vota. Me dhjetë vota në Durrës. Padiskutim vendimarrjet e mëdha, siç ishte lista e deputetëve, ndihej induksioni, fluksi i zotit Berisha dhe atë që ti e quan si klani i tij. Kjo është diçka që nuk mund të fshihet. Siç nuk mund të fshihet fakti që me të gjitha këto, prapëseprapë ne nuk ishim një sekt njerëzish të lidhur me krimin, njerëzish të lidhur me trafikun e drogës, njerëz të lidhur me pastrimin e parave, siç është sot Edi Rama dhe qeveria e tij.
Ylli Rakipi: Mos thuaj gjëra që nuk të akuzon njeri. Ndërsa për ty, po kështu ka patur akuza se keni përdorur opozitën në ndihmë të njerëzve tuaj të afërt, më kryesori, që përmendje ishte kunati. Pse identifikohej Lulzim Basha me kunatin? Pra Saliut i thonë “Zeni, Zeni”, kurse ju “kunati, kunati”.
Lulzim Basha: Sepse për njerëzit që ishin mësuar të përfitonin nga ky sistem favoresh, ishte e pamnedueshme që ajo që unë ofroja nuk kishte lidhje me tarafet, me truket, me hilet e të vjetrës. Në përpjekje për të shpikur diçka, gërmuan në familjen time, njerëzit e mi dhe u morën me kunatin, meqenëse ai merret me sektorin privat.
E vërteta është që kunati im është në sektorin privat dhe për 6 vitet e pranisë time në qeverisjen qëndrore dhe katër vitet e pranisë time si kryetar bashkie dhe më vonë në opozitë, nuk ka marrë pjesë një herë të vetme në një proces që ta lidhë me shtetin. Jo tender dhe prokurime, që nuk bëhet fjalë, por asnjë lloj procesi.
Kjo ka qenë një nga shtysat kryesore për ta ndarë shapin nga sheqeri, sepse është kollaj të marrësh një njeri dhe ta stigmatizosh. Një njeri që sot që flasim, që vitin e ardhshëm mbushen 20 vite nga prania ime në politikë, ndaj këtij njeriu nuk ka patur asnjëherë të vetme, asnjë indikacion për asnjë shkelje ligjore. Atëherë ta stigmatizojmë politikisht, ta sulmojmë mediatikisht, për të kompleksuar Bashën dhe për ta bërë si një nga ne, me njollë si ne. Sa më e madhe gënjeshtra, aq më shumë do ta besojnë. Por, cfarë ka ndodhur? Nganjëherë presioni dhe temperature e lartë, prodhojnë xhevahire, thuhet që momente të tilla edhe pse të mbarsura me negativitet, çojnë edhe në zhvillime pozitive dhe ka çuar në vetëdijen time se në politikën shqiptare duhet ndarë shapi nga sheqeri në mënyrë institucionale dhe ligjore. E kam fjalën për vettingun e politikanëve, e kam propozuar në 2016 për herë të parë dhe prej një viti e kam çuar ligjin me nene në Kuvend për të bërë kontrollin e hollësishëm të pasurisë së çdo politikani, të familjarëve, rrethit shoqëror dhe kontakteve të papërshtatshme. Në një nga dakordësitë, jo të vetmet, Rama e mban këtë të mbyllur në sirtar dhe Sali Berisha, për të përdorur një nga shprehjet e tij, “hesht si fija e barit”.