AKTUALITET, 8 Shtator 2022, 19:25

Berisha: Vjedhje me rritjen e çmimit të energjisë, qeveria goditi qëllimisht shtresën e mesme

Berisha: Vjedhje me rritjen e çmimit të energjisë, qeveria

Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi nga foltorja e Kuvendit qeverinë se, e ka shndërruar energjinë në një mekanizëm të tmerrshëm vjedhje.

Berisha tha se, me rritjen e çmimit të energjisë, qeveria goditi qëllimisht shtresën e mesme.

“Ju i dhatë një goditje fatale shtresës së mesme me çmimin e energjisë. Pasi keni shndërruar energjinë në një mekanizëm të tmerrshëm vjedhje për shqiptarët, që dilni e blini me çmime 2-3-fish me bursën. Që shisni te njëri-tjetri me çmime qesharake, për të vjedhur pastaj, për t'ua rishitur të tjerëve.

Tani po sillni gjigandët e ndotjes, gjeneratorët nga Bangladeshi, pa tender. I mashtroni shqiptarët se punojnë me gaz. Asnjëri prej tyre nuk punon me gaz, punojnë me mazut. Prodhon qindra e qindra tonelata squfur. Helmon Vlorën, njësoj sikur 100 mijë makina të qarkullojnë 100 kilometra në ditë dhe dikush këtu mbush xhepat me këtë vjedhje skandaloze. Energjia e tyre kushton 392 euro megavati. Në total 760 milionë euro për dy vjet. 3 termocentrale më të mëdha se sa i Vlorës mund të ndërtoheshin me këto para dhe gazi rrjedh bri tyre. Por ju do të krijoni të varfër, duke i vjedhur shqiptarët.

E dini si ja bëni ju. Nuk ka cinizëm, por shqiptarët do t'ju përgjigjen ju. Do t' ju japin një përgjigje flakë për flakë. Të rrisni çmimin e energjisë për 7% të shqiptarëve, e cila është shtresa e mesme. Ju godisni me qëllim shtresën e mesme. T'jua 4-fishosh çmimin atyre, do të thotë të ikin nga Shqipëria. Mjekë, inxhinierë, biznesmenë të vegjël, etj. me radhë.

E dini se çfarë po bëni apo jo. Do t'ju jap një shembull unë sot: Bullgaria që ky e sulmoi në mënyrën më amorale, ka 1 biznesmen për 9 banorë. Shqipëria kishte 1 biznesmen për 14 banorë, sot ka 1 biznesmen për 28 banorë. I vrarë masivisht bizneset. Sepse për ju nuk ekziston konkurrenca.”, deklaroi Berisha.