AKTUALITET, 12 Maj 2026, 13:12

Berisha: U shkel MSA, asnjë kompani ndërkombëtare nuk u lejua të fitojë qoftë edhe një tender!

Berisha: U shkel MSA, asnjë kompani ndërkombëtare nuk u lejua

Kreu i Demokratëve Sali Berisha ka akuzuar qeverinë Rama se ka shkelur Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit, duke përjashtuar nga gara për të fituar tendera kompanitë Europiane.

Në një dalje për mediat, Berisha u shpreh se treguesit e transparencës kanë pësuar një rënie katastrofale, pasi sistemit elektronik të tenderave, zyrtarët e qeverisë sipas tij i mbyllin sytë.

“Janë këto të gjitha nga Open Tender EU, organizatë kjo e besueshme e BE. Po kriteri i transparencës? Kriteri i transparencës është shumë i ulët. Vlerësohet gjithsej 54.5 pikë, ndërkohë që sistemi elektronik është përdorur nga viti 2010.

Pra, tregon që këta ia mbyllin sytë sistemit elektronik. Këta e zhurmojnë sistemin elektronik. Treguesi i transparencës ka një rënie katastrofale.  Por ka edhe një tregues tjetër. Treguesi i mafies. Mbajeni shënim. Ky tregues, thotë, se mafia qeveritare shqiptare, në ligjin e mafies dhe jo në ligjin shqiptar dhe ndërkombëtar, nuk lejon asnjë kompani evropiane të fitojë qoftë dhe një tender në Shqipëri. Narkoqeveria Rama, është rasti i vetëm, kur në listën e kontraktorëve me tendera me vlerë të konsiderueshme, nuk ka asnjë fitues kompani nga vendet e BE apo kompani prestigjioze. E ndaluar! Kjo është një shkelje e rëndë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).  Injorimi i këtij fakti është një akt i rëndë që dëmton shumë, për aq sa mund të dëmtojë Shqipëria tregun. Në MSA, Shqipëria është e detyruar të trajtojë si të barabartë investitorët, kompanitë që paraqiten në garat brenda vendit”, theksoi Berisha.

KRAHASIMI

Në daljen e tij për mediat, Sali Berisha ka numëruar rrugët e ndërtuara nga kompanitë e njohura, ndërkohë që ka akuzuar qeverinë aktuale se projektet infrastrukturore u janë dhënë klientëve të qeverisë Rama. “Më duhet të them, dhe shpreh keqardhje të madhe, se për këtë akt të rëndë, ka një heshtje.

Dhe kjo heshtje është e papranueshme. Pse kjo heshtje është e papranueshme? Sepse kjo Shqipëri ka një eksperiencë. Cila është kjo eksperiencë? Nga Hani i Hotit në Kakavijë, të gjitha akset kombëtare rrugore janë ndërtuar nga kompani evropiane ose amerikane më të njohura.

Kanë fituar tenderat, edhe ndërkombëtarë ka prej tyre, absolutisht jo duke diskriminuar kurrë kompanitë shqiptare, por duke qenë i drejtë.  Në emër të interesit të taksapaguesve shqiptarë është zgjedhur gjithnjë oferta më e leverdishme. Rruga Hani i Hotit- Shkodër është ndërtuar nga kompani italiane e mirënjohur. Bechtel Enka ndërtoi Rrugën e Kombit. Rruga Lushnje- Fier është ndërtuar nga kompani italiane e njohur. Rruga Levan- Vlorë nga dy kompani të njohura.

Autostrada Tiranë- Elbasan nga një prej kompanive më të mëdha të Greqisë, Aktor. Rruga Levan-Tepelenë-Memaliaj nga Todini, një nga kompanitë më serioze italiane. Rrugët e ndërtuara nga këto kompani sot pas 15 vitesh qëndrojnë pa asnjë problem. Ndërsa të gjitha rrugët e ndërtuara nga klientela Rama-Balluku janë shembur, po shemben sikur të ishin ndërtime kashte.

Por nga ana tjetër, pra, ky është një shkelmim i interesave të taksapaguesve shqiptarë. Unë e kam denoncuar me dhjetëra herë, ju jeni dëshmitarë këtu. Si i përjashtonin?

Ua them unë. Aplikoni në e-Albania. U kërkohej kompanive evropiane dhe të tjerave të aplikonin në e-Albania. Aplikimi në e-Albania kishte një kohëzgjatje 38 ditë, në një kohë kur tenderat grabiteshin në një kohë 34 ditë. E kuptoni ju se si Republika e Shqipërisë që ishte frontrunner në procesin e integrimit, përjashtonte të gjitha kompanitë e vendeve anëtare të BE me një diskriminim kriminal dhe me pasoja shumë të rënda për qytetarët shqiptarë.

Sepse ja ku janë punimet e kompanisë së klientelës. Flet vetë. E kishte tmerr, nuk e paraqiti dje. Është statistikë evropiane kjo”, theksoi ai.